Dërgesat e asistencës ushtarake amerikane fillojnë të arrijnë në Ukrainë

Dërgesat e asistencës ushtarake amerikane kanë filluar të arrijnë në Ukrainë, kanë bërë të ditur zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë.

Ishte presidenti amerikan Joe Biden që aprovoi një pako shtesë prej 800 milionë dollarëve, ku do të dërgoheshin armë dhe municion të kalibrit të ndryshëm – që konsiderohet si një prej asistencave më të mëdha ushtarake amerikane për Ukrainën.

Megjithatë kjo nuk është hera e parë që Shtetet e Bashkuara pajtohen që t’i ofrojnë asistencë ushtarake Kievit – duke e furnizuar me armë të ndryshme – përfshirë 11 helikopterë Mi-17, 18 topa Howitzer 155 mm si dhe mbi 300 dronë kamikazë Switchblade.

Të premten zyrtarë të lartë të Pentagonit, thanë për CNN-së se armët e para dhe pajisjet e tjera ushtarake do të arrijnë në Ukrainë brenda 24 orëve, dhe se ato do t’i marrin ukrainasit në vijën kufitare nga ku do t’i shpërndajnë në tërë territorin.

Kjo asistencë ushtarake prej 800 milionë dollarë, sjell në total shumën e ndihmës amerikane për Ukrainën në mbi 3 miliardë dollarë.