Delegacioni qeveritar vendos lule në varret e Gligorovit dhe Trajkovskit

Shkup, 8 Shtator – Delegacioni i udhëhequr nga Kryeministri Kovaçevski vendosi lule në varret e presidentëve Kiro Gligorov dhe Boris Trajkovski

Me një sërë manifestimesh të rastit, nën moton “Të bashkuar në lirinë”, sot Republika e Maqedonisë së Veriut shënon Ditën e Pavarësisë – 8 Shtatorin, ditën kur para 31 vitesh kemi filluar rrugëtimin tonë si shtet sovran dhe i pavarur.

Kremtimi i kësaj feste madhështore, në organizim të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, filloi me vendosjen e kurorave me lule të freskëta në varret e ish-presidentëve të shtetit, Kiro Gligorov dhe Boris Trajkovski, në varrezat e qytetit “Butel”.

Delegacioni qeveritar që u bëri homazhe presidentëve që lanë gjurmë të pashlyeshme në ndërtimin e shtetësisë sonë, udhëhiqej nga Kryeministri Dimitar Kovaçevski, ndërsa në përbërje të tij ishin ministrja e Mbrojtjes, Sllavjanka Petrovska, ministri i Shëndetësisë, Bekim Sali, ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Bllagoj Boçvarski, si dhe zëvendësministri i Drejtësisë Agim Nuhiu.

Në varret e ish-presidentëve Kiro Gligorov dhe Boris Trajkovski, lule të freskëta vendosën edhe delegacionet e kabineteve të Presidentit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, të Kuvendit, pastaj Lidhjes së Luftëtarëve, trupit diplomatik, si dhe përfaqësues të partive politike.

Kremtimi i Ditës së Pavarësisë – 8 Shtatori do të vazhdojë me “Ditën e Hapur për Qytetarët” dhe programin e pasur kulturor e artistik të “Guaca” në Parkun e Qytetit, ndërsa festimi qendror do të mbahet sonte në parkun “Ibni Pajko” prej orës 19:30.