Delegacioni i KE-së dhe zyrtarë qeveritarë diskutojnë zbatimin e IPA-s në Kosovë

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi u takua sot me një delegacion të Komisionit Evropian për të diskutuar zbatimin e Instrumentit të Ndihmës së Para-Anëtarësimit (IPA) në Kosovë.

Sipas një komunikate të Zyrës së BE-së në Kosovë, ndihma e IPA-s është instrumenti kryesor i BE-së për mbështetjen e reformave në Kosovë, duke përdorur si ndihmën financiare ashtu edhe atë teknike.

Kjo përdoret për t’i ndihmuar Kosovës të përparojë në rrugën e saj evropiane.

Në takim u diskutuan të gjithë sektorët e mbështetjes, kriteret politike dhe ekonomike, me fokus të veçantë në pikat themelore, si sundimi i ligjit, reforma e administratës publike dhe reformat strukturore, zhvillimi i sektorit privat, kapitali njerëzor dhe shoqëria gjithëpërfshirëse, por edhe prioritetet si Agjenda e Gjelbër dhe Plani Ekonomik dhe i Investimeve për Ballkanin Perëndimor.

Komisioni Evropian e nxiti qeverinë t’i përshpejtojë përgatitjet për nismat madhore sipas Planit Ekonomik dhe të Investimeve.

Të dyja palët u dakorduan për rëndësinë e monitorimit dhe përcjelljes së duhur të ndihmës së BE-së.

Komisioni Evropian vuri në dukje përkushtimin e Qeverisë për forcimin e kapaciteteve absorbuese të Kosovës dhe koordinimin e përgjithshëm të donatorëve.

Faza e re e ndihmës IPA III, në zbatim gjatë viteve 2021-2027, është programuar mbi baza konkurruese dhe do të ndahet në bazë të relevancës dhe pjekurisë së projekteve të paraqitura.

Komisioni Evropian e vlerësoi përkushtimin e qeverisë për të identifikuar projekte relevante dhe të pjekura për të ndihmuar në përmirësimin e jetës së përditshme të qytetarëve në Kosovë.

Megjithatë, u diskutuan disa projekte sfiduese që kërkojnë veprim në kohë nga qeveria për të siguruar zbatimin e suksesshëm dhe për të ecur përpara me reformat relevante për rrugën evropiane të Kosovës”, thuhet në komunikatë.

Gjatë IPA II (2014-2020), Kosova ka marrë 602 milionë euro nga BE-ja përmes zarfit dypalësh, ose mesatarisht 86 milionë euro në vit. Ndërkohë, BE-ja ka investuar rreth 3 miliardë euro përmes mbështetjes për shumë vende të IPA-s për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë