Dauti: Gjuha shqipe do të kthehet në qendrën informative kulturore

Shkup, 19 prill – Gjuha shqipe do të kthehet në Qendrën informative kulturore, sepse ne nuk jemi BDI që të bëjmë skenarë të përgjakshëm si ai në Kalanë e Shkupit kur natën ndërtonit kisha dhe ditën sakrifikonit të rinj, theksoi në konferencën e sotme për shtyp deputetja e Aleancës për Shqiptarët, Ilire Dauti.

“Dhe të shohim kush jeni, që dje ju thamë dërgoni atë Inspektoratin për zbatimin e gjuhës shqipe që të përpiqet të inspektojë dhe të ndëshkojë një institucion pas kaq vitesh punë, por ju nuk guxoni. Përvoja tregon se kush kapet dhe kush nuk guxon të flasë, sepse ju dini të flisni vetëm kundër opozitës shqiptare dhe kundër askujt tjetër sepse të gjithë ju kanë në sirtarë. Këtë e dëshmojnë raportet e organizatave ndërkombëtare, si dhe bisedat e përgjuara, tha Dauti, duke reaguar në konferencën për shtyp të deputetit të BDI-së, Arbër Ademi.

Ajo i kërkoi BDI-së që të mos përpiqet t’i shpëtojë përgjegjësisë, por të deklarohet se pse i kanë gënjyer mësimdhënësit me premtimin për 600 euro.

“Sot dëgjuam ish-ministrin e pasuksesshëm të Arsimit dhe Shkencës që la mësues në gjendje të mjerueshme, ndërtesa shkollash si në mesjetë dhe shumë fëmijë shqiptarë pa mësim në gjuhën amtare. Flet ish-ministri që shante shqiptarët në tekste, i cili vetë ka nënshkruar kontrata për ditarë dhe libra prej miliona euro. Çuditërisht, këto raste ende nuk janë proceduar nga drejtësia e tyre fatkeqe. Bashkëpartiaku i tij kryetari i Kuvendit po pengon seancën e Komisionit hetimor për të drejtat dhe liritë e njeriut që të diskutohet për tragjeditë në spitalin modular në Tetovë dhe tragjedinë e autobusit në Bullgari që të mos zbardhet e vërteta për këto tragjedi”, tha ajo.

“Deputeti i partisë që ka dhënë qindra leje për hapjen e kazinove, flet për lojërat e fatit dhe na thërret të votojmë një ligj që fut kazinotë në zonat e banuara. Na thirrën të mos kthehemi në kohën e Shkupit 2014 dhe përgjigjen më të mirë e ka dhënë kjo kukull e regjimit, duke pranuar se çfarë krimi kulturor dhe ekonomik ka bërë partia e tij me projektin Shkup 2014. Sado që të bërtisni, zhurma juaj qyqare nuk e mbulon tradhtinë që keni bërë bashkë me të majtën duke e shtyrë regjistrimin vitin e kaluar dhe pasojat e së cilës po i shohim sot”, tha Dauti. /Zhurnal.mk