COVID-19, vetëm këtë javë 22 qytetarë kanë humbur jetën
Që nga fillimi i pandemisë e deri në sot në Kosovë kanë humbur jetën 3,037 qytetarë. Vetëm në javën e parë të këtij muaji, 22 qytetarë humbur jetën si pasojë e virusit COVID-19.
Në 24 orët e fundit sipas të dhënave nga MSH-ja u regjistruan katër raste të vdekjes. Dy nga viktimat ishin nga komuna e Prizrenit, një nga Mitrovica dhe një nga Graçanica.
Mosha e viktimave ishte një nga 60-69 vjeç, dhe tre të tjerët nga mosha 70-79 vjeç.
Duhet theksuar se në janar numri i qytetarëve që humbën jetën ishte 23. Në javën e parë të muajit shkurt deri më sot kur po raportojmë, janë konfirmuar gjithashtu edhe 11 mijë 290 raste të reja pozitive.
Kurse në muajin janar në total kishim 44 mijë e 030 raste të reja.
Kujtojmë se të premten Qeveria e Kosovës ka bërë lehtësimin e masave antiCOVID, pavarësisht numrit të lartë të rasteve të reja që po regjistrohen brenda dite.
Me masat e reja kufizimi i lëvizjes është vendosur të jetë nga ora 00:00 deri në ora 05:00.
Po ashtu hyrja në Kosovë do të jetë me dy vaksina, apo me një nëse është nga Johnson, pa pasur nevojë për testin PCR, ndërkaq lejohet hyrja edhe me një vaksinë dhe test negativ PCR të bërë në 48-orët e fundit.
Po ashtu, lejohet të hyjnë në Kosovë personat që kanë kaluar COVID-19 në tre muajt e fundit. Orari i punës së gastronomisë me lirim të masave është mundësuar të jetë deri në orën 23:00.
Më poshtë keni të dhënat e COVID-19 për javën e parë të shkurtit:
01 Shkurt 2022: 2.033 raste pozitive dhe 6 raste të vdekjes
02 Shkurt 2022: 2,590 raste pozitive dhe 6 raste të vdekjes
03 Shkurt 2022: 2,110 raste pozitive dhe 5 raste të vdekjes
04 Shkurt 2022: 1,853 raste pozitive dhe 1 rast i vdekjes
05 Shkurt 2022: 2,704 raste pozitive dhe 4 raste të vdekjes.