Çmimet e banesave gjatë vitit 2021 u rritën për 6,1 për qind

Vëllimi i transaksioneve të pasurive të patundshme në vitin 2021 tejkaloi ndjeshëm nivelin prej para pandemisë dhe rritja e çmimit të banesave u përshpejtua dhe është mbi mesataren dhe trendin afatgjatë. Çmimet e banesave u rritën për 6.1 për qind gjatë vitit 2021, me rritje më të ndjeshme se në gjysmën e dytë të vitit. Norma e rritjes së çmimeve të banesave në ekonominë vendase është pak më e ulët se mesatarja e Bashkimit Evropian, e cila është 8,3 për qind, thuhet në Raportin për Stabilitetin Financiar të Bankës Popullore.

Nga BPRMV duke i’u referuar raportit, potencuan se rritja e çmimeve të banesave ishte pjesërisht një reflektim i faktorëve të ofertës, si rritja e kostove të materialeve të ndërtimit dhe efektet e pandemisë në ofertën e banesave në vitin e kaluar.

“Njëkohësisht, për shkak të pandemisë, një pjesë e punimeve ndërtimore u shtynë, kështu që oferta me apartamente të përfunduara u ul në vitin 2020, e cila tashmë po shënon rritje në vitin 2021. Rritje të ndjeshme shënon edhe numri i lejeve të ndërtimit të lëshuara, gjë që tregon për rritje të mëtejshme të ofertës edhe në periudhën e ardhshme, në kushtet kur po rritet edhe numri i banesave të pashitura”, theksuan nga BPRMV-së.

Prej atje  theksuan se edhe në vitin 2021 shënohet një rritje solide e kredisë për banesa, si një nga burimet e financimit të transaksioneve të pasurive të patundshme, e cila kontribuon në ruajtjen e kërkesës në këtë segment të tregut.

“Kreditë për banesa gjatë vitit 2021 u rritën mesatarisht rreth 14 për qind. Kushtet e favorshme të financimit me norma të ulëta interesi, si dhe rreziku më i ulët i kredive për banesa (të cilat kanë normën më të ulët të kredive jofunksionale prej 0.6 për qind) janë faktorë që kontribuojnë në rritjen e kreditimit banesor për amvisëritë”, shtuan nga  BPRMV.

Nga Banka Popullore deklaruan se lëvizjet e tregut të ptundshmërive  për momentin nuk tregojnë për rritje serioze të rreziqeve për stabilitetin financiar lidhur me atë segment, por vlerësuan se është i nevojshëm monitorim i kujdesshëm.

“Megjithatë, lufta në Ukrainë dhe pasiguria që ajo sjell për aktivitetin e brendshëm ekonomik dhe inflacionin janë faktorë rreziku që mund të ndikojnë në tregun e patundshmërive në periudhën e ardhshme. Banka Popullore edhe në periudhën e ardhshme,  do të monitorojë me zgjuarsi gjendjen e tregut të patundshmërive dhe rreziqet që lidhen me të dhe është e gatshme të ndërmarrë më tej masat e duhura makroprudenciale, nëse vlerësohet se është e nevojshme për ruajtjen e stabilitetit financiar”, theksojnë nga BPRMV.