Çfarë po negociohet në takimin mes Qeverisë dhe Lidhjes së Sindikatave? Flet zëvendëskryeminsitri Bytyqi

Shkup, 21 Prill – Në tavolinë i rikthyem sërish negociatat për harmonizimin e pagave në sektorin publik. Zgjidhja që do të gjejmë do të jetë sistematike dhe solidare për të gjithë.

Kemi propozim për rritje lineare prej 2.806 denarë për të gjithë të punësuarit në sektorin publik!

Propozim për kthimin e një të drejte që humbi me nënshkrimin e KPK-së për sektorin publik në vitin 2008 dhe ajo është e drejta e pagesës së kompensimit për pushim vjetor për të GJITHË të punësuarit në sektorin publik!

Sot filluam negociatat për hartimin e një Kontrate të re të Përgjithshme Kolektive për të gjithë të punësuarit në sektorin publik. LSM si sindikata më e madhe dhe aktualisht e vetme përfaqësuese në sektorin publik në nivel nacional është partneri ynë social me të cilin kemi filluar negociatat. KPK e vjetër për sektorin publik është nënshkruar në vitin 2008 me vlefshmëri deri në vitin 2010, megjithëse është ende në fuqi dhe dispozitat zbatohen plotësisht, por është koha për të përgatitur një të re për disa arsye:
✔️Harmonizimin e pagave të sektorit publik me pagën minimale, i cili do të jetë solidar për të gjithë
✔️Barazimin përfundimtar të pagesës së K-15 në sektorin publik, i cili do të aplikohej nga viti 2023
✔️Përcaktimin e metodologjisë për llogaritjen e pagave
✔️Dhe së fundi dhe definitivisht njëherë e përgjithmonë të bëjmë reforma për racionalizimin dhe produktivitetin e sektorit publik
Gjithashtu, KPK-ja e re duhet të harmonizohet plotësisht me LMP (Ligjit për Marrëdhënie të Punës) të ri i cili është në përgatitje e sipër.

Më e rëndësishmja për mua në këtë proces është të marrim një zgjidhje sistematike dhe ta zgjidhim këtë çështje dhe jo ta rihapim vazhdimisht dhe të blejmë pikë politike me këtë temë, që është në dëm të zhvillimit tonë.

Ajo për të cilën folëm dhe ajo që u propozua nga LSM është rritje lineare në vlerë prej 2806 denarë, për të gjithë të punësuarit në sektorin publik, e cila do të aplikohej me ribalancin e ri të buxhetit. Kjo është një rritje që ekonomia jonë mund të përballojë për momentin, natyrisht duke pasur parasysh situatën e përgjithshme, pa i ekspozuar të gjithë qytetarët tanë ndaj goditjes së inflacionit.

I dëgjojmë të gjitha kërkesat dhe konsiderojmë të gjitha format që do të jenë të arsyeshme për të gjithë dhe nuk do të jenë në dëm të askujt. Gjithashtu jemi dakord që fillimi i negociatave për një KPK të re duhet të nënkuptojë arsyeshmëri nga të gjitha anët dhe që t’i kthehemi funksionimit të rregullt, në mënyrë që fëmijët dhe shoqëria të mos pësojnë dëm.