Çelja e negociatave, Spiropali: Universitetet më shumë kontribut për integrimin evropian

Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, deklaroi sot se, çelja e negociatave për grup-kapitullin “Themeloret” me Bashkimin Evropian është një motiv më shumë për kontributin e universiteteve për integrimin evropian.

Në një takim me rektorët e universiteteve publike dhe jopublike të vendit në kryesinë e Kuvendit, Spiropali tha se, ky takim është shumë i rëndësishëm për shumë arsye.

“Arsyet gjenden në përgjegjësinë e lartë për të mbajtur hapur linjat e komunikimit dhe bashkëpunimit, partneritet dhe dialogut të Kuvendit nga njëra anë dhe Konferencës së Rektorëve nga ana tjetër, për të qenë jo përballë, por krah për krah secili në përgjegjësitë dhe detyrat vetjake, si një mjet më shumë në realizmin sa më të mirë të detyrave dhe përgjegjësive reciproke”, tha Spiropali.

Kryeparlamentarja theksoi se ky takim merr një simbolikë të veçantë, sepse realizohet vetëm pak ditë pas mbajtjes së Konferencës së Dytë Ndërqeveritare, BE-Shqipëri për çeljen e negociatave për grup-kapitullin “Themeloret”.

“Kjo ngjarje është një motiv më shumë për kontributin tuaj për integrimin evropian. Qëllimi i bashkëpunimit tonë është institucionalizimi dhe ndarja komplementare e përgjegjësive të përbashkëta me botën akademike në këtë proces që është gjithëpërfshirës dhe duhet të ketë legjitimitet të plotë demokratik dhe shoqëror”, tha Spiropali.

“Për përshpejtimin e ritmeve të anëtarësimit të Shqipërisë në BE, për formimin dhe edukimin e studentëve dhe profesionistëve të rinj të Shqipërisë, tërheqja juaj, e pedagogëve dhe studentëve në realizmin e funksioneve të Kuvendit, rritja e kontributit akademik dhe shkencor në proceset vendimmarrëse, poltikëbërëse dhe ligjbërëse, zgjerimi i mundësive për kontributin tuaj në reformat zhvillimore, demokratizuese dhe integruese të vendit, angazhimi i profesorëve dhe studentëve në seancat dëgjimore dhe konsulta në komisionet parlamentare, ofrimi i mundësisë për praktika të studentëve në Kuvend. Këto marrëveshje janë duke u zbatuar dhe rezultatet nuk kanë munguar, por sigurisht ka nevojë për thellim dhe zbatim më të plotë të marrëveshjeve që janë nënshkruar me Kuvendin”, nënvizoi Spiropali.

Spiropali falënderoi rektorët për kontributin e tyre në Kuvend në konsulta, në dëgjesa publike, në ekspertizë dhe në hartimin e akteve ligjore, gjatë viteve të fundit.