Bytyqi: Jemi ballafaquar me sfida dhe e kemi mbrojtur standardin e qytetarëve

Shkup, 10 prill –  100 ditët e para të mandatit të Qeverisë së re të LSDM-së kaluan në rrethana seriozisht të vështira. Sot situata në Evropë është shumë ndryshe nga ajo që ishte në 17 janar kur ishte dita e parë e punës e Qeverisë së re. Pasgoditjet e Coronavirusit dhe agresioni kundër Ukrainës sollën krizën më të madhe ekonomike dhe energjetike që nga Lufta e Dytë Botërore. Kjo, për ne si Qeveri, nënkuptonte përgjegjësi të shtuar, por edhe gatishmëri dhe vendosmëri në ballafaqimin me pasojat në ekonominë maqedonase dhe mbështetje të qytetarëve. Me këtë rast, të udhëhequr nga koncepti ekonomik socialdemokrat, duhet t’i drejtojmë paratë drejt qytetarëve, mbrojtjes së standardit dhe stabilitetit social. Një shtet është i fortë kur kalon sfida apo kohë të vështira pa shkelur vlerat, ligjet dhe themelet mbi të cilat është bazuar. Arritëm të qëndrojmë solidarë dhe të mos lihet anash askush, si dhe të ruajmë stabilitetin dhe qetësinë e përgjithshme të bashkëqytetarëve tanë. Kjo për ne është një vlerë kyçe, e shtuar e politikave që ne zbatojmë për qytetarët. Në 50 ditët e para të mandatit, përmes dialogut social e kemi rritur pagën minimale në 18.000 denarë. 80.000 bashkëqytetarë tanë të cilët më parë kanë marrë 15.200 denarë, sot marrin pagë prej 18.000 denarë. Paga më të larta kanë ata që më parë kanë marrë nga 15 deri në 17.000 denarë, kështu që sot numri i përgjithshëm i punëtorëve që kanë përfitim të drejtpërdrejtë është rreth 160.000 qytetarë. Kjo rritje e pagës minimale pasohet nga një periudhë e harmonizimit të pagave në të gjithë sektorët, përfshirë pagat në administratën shtetërore dhe publike. Por rritja e pagave në sektorin publik duhet të shoqërohet gjithashtu me rritjen e produktivitetit dhe përmirësimin e cilësisë së shërbimit. Prandaj kemi nisur negociatat për hartimin e një Kontrate të re të Përgjithshme Kolektive për të gjithë të punësuarit në sektorin publik, në mënyrë që të arrihet një zgjidhje sistematike për rritje të përhershme të pagave, rritje kjo që nuk do të varet nga vullneti politik i dikujt. Jemi të gatshëm të flasim për zgjidhje të qëndrueshme dhe sistematike, në vend të zgjidhjeve ad hoc. Sepse vetëm kështu do të sigurojmë zhvillimin. Kemi punuar me shoqatat e pensionistëve përmes dialogut për një metodologji të re për rritjen e pensioneve. Ne ramë dakord për të ashtuquajturin model zviceran me të cilin pensionet do të rriten dy herë në vit me një normë që është shuma prej 50 për qind e rritjes së kostos së jetesës dhe 50 për qind e rritjes së pagave. Sipas kësaj metodologjie, në shtator do të pasojë një rritje rekord e pensioneve dhe duke ndjekur trendet aktuale ekonomike, kjo rritje e pensioneve do të ishte rreth gjashtë për qind. Për të përballuar pasojat e krizës ekonomike dhe energjetike, po zbatojmë një pako prej 26 masash antikrizë me vlerë prej 400 milionë euro në ndihmë të qytetarëve dhe kompanive. Me masa konkrete kemi arritur të mbrojmë standardin e qytetarëve nga goditjet e çmimeve të shkaktuara kryesisht nga rritja e çmimeve të energjisë. Kemi ulur TVSH-në dhe akcizat dhe tani kemi çmimin më të ulët të naftës dhe derivateve të naftës në rajon. Ulëm tatimin mbi vlerën e shtuar nga pesë në zero për qind dhe kufizuam marzhën e shitjes me pakicë dhe shumicë të produkteve ushqimore bazë, gjë që ia dolën të parandalonin një rritje të madhe të çmimeve dhe të mbronin standardin e jetesës së qytetarëve. Efekti i këtyre masave është i dukshëm. Qytetarët tani kursejnë 300 denarë në muaj për karburant, mesatarisht 1.500 denarë për ushqim dhe 2.150 denarë për faturë të rrymës. Kjo do të thotë kursime prej 4.000 denarë në muaj për një familje mesatare. Për kategoritë më të rrezikuara të qytetarëve, si dhe për gati 330.000 pensionistë, kemi ofruar ndihmë shtesë financiare prej 1.000 denarë në muaj për një periudhë tre mujore. Të nderuar qytetarë, Jemi para një periudhe komplekse plot sfida, por për ne si parti dhe Qeveri është vetëm një motiv shtesë. Të punojmë edhe më me përgjegjësi, edhe më të përkushtuar në zbatimin e masave dhe politikave që sigurojnë rritje dhe zhvillim ekonomik dhe përmirësojnë standardin e jetesës së qytetarëve. Për herë të parë në vend, ne po fillojmë të krijojmë një Strategji Kombëtare të Zhvillimit për një afat më të gjatë që do të hartojë me saktësi potencialet dhe burimet tona që disponojmë dhe do t’i bashkojë ato me planet tona të zhvillimit për 20 vitet e ardhshme. Ne kemi një vizion të qartë për zhvillimin e këtij vendi, për të mundësuar planifikim racional si dhe efikasitet dhe efektivitet në përdorimin e burimeve.