BYD ka gjetur një mënyrë për të anashkaluar tarifat e BE-së

Prodhuesit kinezë të automjeteve elektrike janë përballur me një goditje të rëndë në Evropë kur Bashkimi Evropian vendosi taksat shtesë doganore për veturat elektrike të prodhuara në Kinë. Megjithatë, BYD tani ka gjetur një mënyrë për të anashkaluar këto taksa.

Më shumë se 900 vetura elektrike BYD Dolphin janë larguar së fundmi nga një port në Tajlandë dhe janë nisur drejt Gjermanisë, Belgjikës dhe Mbretërisë së Bashkuar. Kjo është hera e parë që BYD shpërndan automjete nga fabrika e re në provincën Rayong, Tajlandë, sipas CarNewsChina. Kjo fabrikë u hap në verën e vitit 2024 dhe ka një kapacitet prodhimi prej 150 mijë automjetesh në vit.

Kjo njësi është fabrika e parë e makinave personale në pronësi të plotë të BYD jashtë Kinës, dhe përfaqëson një hap të madh në zgjerimin global të kompanisë. Deri tani, prodhimi në Tajlandë ka kaluar 90 mijë njësi, dhe tani fokusi është vendosur te tregu evropian. As vendndodhja dhe as momenti nuk janë rastësi.

Taksat doganore të Bashkimit Evropian për makinat elektrike të prodhuara në Kinë shtojnë mbi 30 për qind kosto shtesë. Me dërgesat që nisen nga Tajlanda, BYD e shmang këtë barrë fiskale dhe mund të vazhdojë të shesë me çmime më konkurruese. Aktualisht, BYD është prodhuesi më i madh në botë i makinave elektrike. Gjatë shtatë muajve të parë të vitit, kompania shiti pak më shumë se 2,45 milionë njësi globalisht, nga të cilat mbi gjysmë milioni u eksportuan.

Megjithatë, pavarësisht rritjes së përgjithshme, ritmi i rritjes ka filluar të ngadalësohet. Në korrik, shitjet u rritën me vetëm 0,1 për qind në krahasim me vitin e kaluar, që është norma më e ulët e rritjes në 18 muajt e fundit. Kjo e bën fabrikën e Tajlandës edhe më të rëndësishme.

Meqë automjetet e prodhuara në Kinë po përballen me rezistencë në rritje në Evropë, Tajlanda po bëhet pika kyçe për BYD për të ruajtur vrullin në tregun global të makinave elektrike.