Bullgaria për Maqedoninë e Veriut kurse Greqia për Shqipërinë pengesë, Georgiadis: Shqipëria ta harrojë BE-në

Athinë, 21 gusht – Ministri grek i Punës, Adonis Georgiadis, i ka dërguar një mesazh të qartë Shqipërisë, duke folur për rastin e burgosjes së kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, ku theksoi se shteti fqinj duhet “të harrojë integrimin europian nëse pengon betimin e Belerit”, njoftonn CNN në gjuhën greke.

Në mënyrë të veçantë, në një intervistë për ERT-në, ministri bëri të qartë se Greqia do të bllokojë çdo financim europian për Shqipërinë, për sa kohë të zgjasë çështja Beleri, duke sqaruar se “Shqipëria duhet t’i harrojë paratë nga Europa nëse Fredi Beleri nuk betohet si kryebashkiaku i Himarës”.

Ai shtoi se nëse zgjedhjet përsëriten ose betohet një kryetar tjetër bashkie, “për Greqinë do të jetë faktor i keq marrëdhënieve me Shqipërinë për një periudhë të pacaktuar”.

“Shqipëria do ta paguajë shumë shtrenjtë nëse vazhdon të shkelë të drejtat e grekëve të Vorio Epirit”, shtoi ai, duke vënë në dukje se Shqipëria duhet të rishikojë qëndrimin e saj.

Mungesa e Ramës në takimin e liderëve të Ballkanit Perëndimor në Athinë është një “mesazh” i qartë.

Duke folur për rëndësinë e takimit të liderëve të Ballkanit Perëndimor në Athinë, z.Georgiadis theksoi se “e konsideroj shumë të rëndësishme që Rama nuk është ftuar”.

“Vendimi i Kyriakos Mitsotakis për të ftuar të gjithë të tjerët, përveç Ramës dhe që të gjithë të tjerët të jenë veç Ramës, mendoj se tregon se çështja e Fredie Belerit nuk po kalon aspak pa pengesa në qeverinë greke”, tha ministri.

Në fakt, ai komentoi se “ata që menduan se Kyriakos Mitsotakis do të rezultonte një kryeministër i butë në reagimin e tij për këtë çështje, e kishin gabim. Mesazhi për Shqipërinë sot është i qartë. Nëse vazhdojnë të pengojnë betimin e kryetarit të ri të bashkisë së Himarës, Fredi Belerit, do të duhet të harrojnë integrimin e tyre evropian dhe paratë nga Evropa”, përfundon CNN.