Bubevski: Grupet kriminele po tentojnë të pengojnë Prokurorinë në punën e saj hetimore

Shkup, 28 prill – Shefi i Prokurorisë Themelore Publike, Gavrill Bubevski vlerëson se kallëzimi penal ndaj tij dhe ish dy kolegëve të PSP-së, Artan Ajro dhe Arafat Muarremi është tendencë e grupeve të caktuara kriminale për të penguar prokurorinë në ndjekjen efikase penale ndaj atyre grupeve, shkruan Alsat.

Bubevski vlerëson se vetë shpalosja e kallëzimeve penale në opinion para se të njoftoheshin zyrtarisht palët për dyshimet, dëshmon se bëhet fjalë për veprim më qëllim dashakeq.

“Konsideroj se ka shumë sfera interesi me shumë ndikimi në këtë shtet dhe bëjnë vlerësime ose parashikime se si do të veprojnë derisa vjen deri te ndjekja penale kundër tyre. Në këtë mënyrë provojnë të bëjnë ndonjë dëm dhe sigurisht që bëjnë dëmin”, deklaroi Gavrill Bubveski, Prokuror publik, Shkup në një intervistë për Rrjetin Hulumtues-IRL.

Kryeprokurori Ljubomir Joveski në një intervistë ekskluzive për Alsat tha se lënda mbi kallëzimet penale të Avokatit të Shtetit nuk mund t’i besohet një prokurorie tjetër përveç se asaj të Krimit të organizuar.

“Kjo lëndë nuk mund t’i besohet një prokurorie tjetër. Por derisa prokurori i cili vepron në këtë lëndë kërkon që hetimi t’i kalon një prokurorie tjetër, ne do të veprojmë për të gjetur zgjidhje dhe do të caktojmë cila prokurori do ta heton dhe përfaqëson lëndën”, u shpreh Ljubomir Joveski, Kryeprokuror.

Avokati i Shtetit ka paditur dy prokurorët Gavrill Bubevski dhe Artan Ajro si dhe drejtorin e Policisë Financiare, Arafat Muarremi për shkak të dyshimeve se të njëjtit nuk kanë vepruar në përputhje me ligjin në procedurën e konfiskimit të pasurisë së biznesmenit Sead Koçan. /Alsat.mk