Britania nis ekstradimin e kriminelëve shqiptarë

3 shtetas shqiptarë, të dënuar në Britaninë e Madhe për pedofili, rrëmbim personi dhe trafikim të lëndëve narkotike do të ekstradohen drejt vendit tonë.

Mediat britanike raportojnë se Anglia do të ekstradojë disa të burgosur që janë dënuar aty për vepra të ndryshme penale. Një nga të ekstraduarit është dënuar me 18 vite burg, pasi u akuzua për trafik droge, që kapte vlerën e dy milionë paundëve.

Shqiptari i dytë i ekstraduar sot ishte dënuar me tre vite burgim, pasi kishte ngacmuar seksualisht një të mitur. Ndërsa personi i tretë ishte dënuar me 4 vjet burg, pasi akuzohej për rrëmbim personi, si dhe ushtrim dhune.

Duke komentuar mbi dëbimet, Sekretarja e Brendshme e Britanisë, Priti Patel, tha se “Këta individë janë përgjegjës për disa nga krimet më të tmerrshme, duke përfshirë përdhunimin, krimin e dhunshëm dhe shkeljet e rënda të drogës. Ata kanë shkelur ligjet dhe vlerat tona dhe kanë lënë viktimat e tyre të jetojnë me plagët e krimeve që kanë kryer. Kjo Qeveri do të përdorë çdo mjet të disponueshëm për të larguar shtetasit e huaj që kanë kryer krime kundër qytetarëve tanë dhe së fundmi ne kemi paraqitur Aktin e Kufijve për të ndihmuar në përfundimin e ciklit të kërkesave dhe apelimeve të minutës së fundit që mund të vonojnë largimet”.

Muajin e kaluar, u larguan nga Mbretëria e Bashkuar me fluturime çarter dhe të planifikuar 190 shtetas shqiptarë të cilët kishin krye krime.

Midis tyre ishin kriminelë të dënuar për vepra të ndryshme, ku më saktësisht: dy për vrasje nga pakujdesia, tetë për përdhunim, 75 për krime droge, një për tentativë vrasje dhe 14 për krime të dhunshme duke përfshirë dëmtimin e vërtetë trupor dhe lëndimin e rëndë trupor.