Brenda qytetit sekret poshtë Kukësit: 30 metra nën tokë, me spitale e rezerva

Dritare TV realizoi një reportazh në qytetin sekret poshtë Kukësit, i ndërtuar 30 metra nëntokë, i llogaritur për të strehuar 30 mijë persona për një periudhë prej më shumë se 6 muajsh. Pas nisjes së luftës së Rusisë në Ukrainë, vëmendja qytetare është rikthyer te këto vendstrehime.

Në një intervistë për Dritare TV, Hakik Visha, ish-drejtuesi i punimeve të vendstrehimeve dhe tuneleve nëntokësore të ndërtuara në Kukës, tregon qytetin e nëndheshëm duke bërë gjithashtu një apel që vendstrehimet të pastrohen dhe të jenë funksionale për çdo kohë rreziku.

“Sa është sipërfaqja e qytetit lart, aq është edhe hapësira nëntokësore të qytetit të nëndheshëm. Është 30 metra nën tokë. Ky qytet nëntokësor u krijua për të ruajtur njerëzit në raste rreziku lufte. Nuk jemi të parët që kemi ndërtuar një qytet nëntokësor. Me krijimin e bombës atomike, nuk kishte mjet tjetër që të mbroheshin njerëzit. Kjo punë është bërë me shumë kujdes në mënyrë që të strehohej i gjithë qyteti.

Vendstrehimet nën tokë janë ndërtuar jo vetëm për Kukësin, por për çdo qytet, madje edhe në fshatra. Kanë qenë vende sekrete sigurisht, madje vendet e tjera ende i kanë sekrete. Ata i ruajnë ende për veten e tyre, pasi janë pika strategjike në kohë rreziku lufte. Popullata duhej të dinte me doemos vendin e strehimit. Çdo pallat kishte hyrjen e vet, drejt tunelit.

Por gjendja e tyre sot nuk është si ka qenë. Ka qenë një qytet i nëndheshëm me të gjitha shërbimet, ku mund të jetoje 6 muaj pa dalë fare. Kishte instalime elektrike, furrë buke, sigurimin e bazës ushqimore, ujë madje edhe spital nën dhé.

Nëse spitali ishte me 200 shtretër në kohë paqeje, në kohë lufte duhet të kishte një kapacitet më të madh. Arsyeja është se ishte se përveç sëmundjeve, mund të kishte edhe të plagosur nga lufta. Çdo detaj ka qenë i mirëmenduar, me dyer betoni, dyer kundër lëndëve helmuese luftarake.

Asokohe janë bërë prova të vazhdueshme, me alarm. Norma ishte 10 minuta, por edhe brenda 5 minutave e gjithë popullata është strehuar brenda nëntokë.

Tani nuk janë më as dyert e as hyrjet, sepse janë prishur. Tani tunelet ekzistojnë por nuk janë më as shinat as vagonat dhe gjithçka që ishte ndërtuar atëherë. Nuk janë instalimet e ujit të pijshëm, gjeneratorët. Por më e keqja është se te tunelet janë ndërtuar pallate, biznese, magazinë, ndërsa të tjerat janë mbyllur me dhe. Ata si vendstrehime ekzistojnë ende, por duhen rregullime.

Ndaj unë mendoj që duhet të planifikohet një grup drejtues urgjence, të angazhojë ministrinë e Mbrojtjes, Shëndetësisë, Financës, por edhe ministrinë e Brendshme, që këto strehime të pastrohen dhe të jenë funksionale për çdo rrezik.

Mendoj se nuk pret koha, kjo duhet bërë urgjentisht”, u shpreh Visha.