Bojkot i mësimit në sh.f “Goce Dellçev”, kërkohet kthimi i mësueses Emine Luma Osmani

Shkup, 14 shtator – Prindërit e nxënësve të klasës së tretë në paralelen e vetme të gjuhës shqipe në SHF “Goce Dellçev”-Tetovë, dje dhe sot e bojkotojnë mësimin. Ata duan të rikthejnë në punë mësuesen e klasës Emine Luma Osmani, e cila sipas prindërve është larguar nga puna për shkak se i ka përfunduar kontrata me afat të caktuar.

“Ne duam që mësuesja jonë të kthehet, sepse fëmijët janë mësuar me atë. Kjo është kërkesa jonë. Një klasë e tërë me 25 nxënës në një paralele në gjuhën shqipe. Kur gjërat përzihen në një drejtim politik dhe partiak, nuk do të thotë se viktima janë vetëm fëmijët tanë, viktima në këtë jemi të gjithë. Por ne nuk jemi të interesuar për këtë çështje. Thjesht nuk duam që fëmijët tanë të preken psikologjikisht apo edukativisht nga kjo”, tha Anita Aziri, përfaqësuese e prindërve.

Pas takimit me prindërit, përfaqësues të prindërve shkuan në takim me drejtorin e shkollës.

“Nuk kemi asgjë kundër mësueses së re. Duam të flasim me drejtorin dhe mësuesen e re. Qëllimi është që fëmijët të mos bëhen viktima të lojërave politike dhe partiake”, tha prindi Burhan Aliti.

Më 6 shtator, disa nga prindërit e nxënësve në SHF “Kirili dhe Metodi” në Tetovë protestuan publikisht dhe kërkuan kthimin në punë të dhjetëra mësueseve të cilave u kishte përfunduar kontrata e punës. Ata besojnë se duhet t’u vazhdohet kontrata sepse kur i kanë regjistruar fëmijët kanë zgjedhur ata mësuese.