Blinken sot në Ankara do të bisedojë me Erdoganin

Sekretari amerikan i Shtetit, Entoni Blinken sot në Ankara do të takohet me presidentin turk, Rexhep Taip Erdogan, pasi që ai i vizitoi zonat e prekura nga tërmeti dhe paralajmëroi ndihmë shtesë amerikane prej 100 milionë dollarë. Ky është udhëtimi i parë i sekretarit amerikan në Turqi që nga marrja e detyrës dy vjet më parë.

Konflikti në Ukrainë do të jetë në agjendën e bisedimeve Blinken-Erdogan.

Blinken, i cili erdhi të dielën nga Mynihi, ku mori pjesë në Konferencën e sigurisë, zbarkoi në bazën e forcave ajrore Inxhirlik në Turqinë Juglindore dhe dëshiron ta shpreh mbështetjen amerikane për atë vend.

“Shtojmë 100 milionë dollarë për të ndihmuar ata që kanë nevojë për ndihmë”, tha Blinken, i cili me helikopter vizitoi provincën Hataj, të shkatërruar nga tërmeti.

Autoritetet turke njoftuan të dielën se po ndalin kërkimin për viktimat, përveç në Karhamanmarash, ku është epiqendra e tërmetit dhe në provincën Hataj.

Një ditë pas tërmetit, autoritetet amerikane dërguan disa ekipe kërkimi dhe shpëtimi në Turqi, rreth 200 njerëz dhe i dhanë këstin e parë të ndihmës humanitare prej 85 milionë dollarëve.

Blinken e përfundon turneun evropian me vizitë në Greqi, ku do të qëndrojë sonte dhe nesër.