Bislimi: Dinari s’ka qenë i lejuar asnjëherë, euroja ka qenë dhe do të jetë e vetmja valutë zyrtare
Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, ka thënë se vendimi i Bankës Qendrore të Kosovës lidhur me dinarin serb, ka për qëllim parandalimin e aktiviteteve kriminale, financimin e terrorizmit dhe përdorimin e parave false, raporton Ekonomia Online.
Në konferencën për media të mërkurën, Bislimi tha se rregullorja re e BQK, e cila fillon zbatimin nesër “as nuk e ndal, as e lejon e as nuk merret me dinarin serb”.
Ai deklaroi se dinari serb nuk ka qenë i lejuar as më herët që të ndalohet tani.
Ai tha se kjo rregullore do ta ketë edhe një fazë tranzitore, gjatë se cilës qytetarët do të njoftohen për të.
Ai po ashtu i bëri thirrje edhe Bankës Qendrore të Serbisë që të ketë bashkëpunim me BQK-në, në të mirë të qytetarëve.
“Nuk ka dyshim që qëllimi final i rregullores është edhe mbrojt konsumatorin edhe të sistemit të pagesave. Nuk ka pasur qëllim që të vendos në treg një kartëmonedhë sepse ajo ka qenë e ndaluar edhe më herët. Nuk ka qenë fokus i rregullores ndalimi i ndonjë monedhe specifike sepse kjo vazhdon që të jetë e rregulluar me Kushtetutë. Vendos rregullat edhe për kartëmonedhat e dëmtuara. Rregullorja e BQK as nuk e ndal, as nuk e lejon e as nuk merret me dinarin serb, kjo pasi dinari serb nuk ka qenë më herët që ta ndaloj atë tani. Në gjithë këtë proces BQK është institucion i pavarur dhe i përgjigjet Kushtetutës”, u shpreh Bislimi.

