Bisedimet Sofje – Shkup/ Po shkëmbehen ide, nuk ka marrëveshje konkrete
Shkup, 11 prill – Shkupi dhe Sofja vazhdojnë bisedimet intensive në kuadër të grupeve punuese me qëllim të përmirësimit të bashkëpunimit ndërmjet qytetarëve dhe institucioneve të dy vendeve, por procesi aktualisht është në nivel të shkëmbimit të ideve dhe ende nuk ka një dokument të pranueshëm reciprok. Këtë e ka konfirmuar kryeministri Dimitar Kovaçevski në një intervistë për MIA-n, ndërsa në të njëjtën kohë ambasadori bullgar në Tiranë, Momçil Rajçevski ka bërë të ditur se grupet punuese mund të presin së shpejti rezultate konkrete.
Në një intervistë për MIA-n, dhënë në margjinat e Forumit Ekonomik Delfi në Greqi, Kovaçevski tha se ai është njeri që beson në qëllimin, por edhe punon për ta arritur atë qëllim.
Ne që në fillim të mandatit të kësaj Qeverie edhe atë në ditën e parë të punës praktikisht kishim takim me kryeministrin e Bullgarisë dhe më pas filluam procesin e formimit të grupeve të punës, në fusha të ndryshme nga ekonomia, infrastruktura, kultura, arsimi, integrimet evropiane, që do të thonë shumë për bashkësinë afariste, për bashkësinë arsimore dhe në përgjithësi për të gjitha qytetarët në tema që shikojnë drejt së ardhmes, që e përmirësojnë edhe punën në bashkëpunimin mes qytetarëve dhe mes institucioneve të të dyja shteteve. Ministritë e jashtme janë duke punuar në çështjet politike. Megjithatë për momentin, si edhe në periudhën e kaluar, procesi është në nivelin e shkëmbimit të ideve dhe ende nuk ka dokument të pranueshëm për të dyja palët, që do të mund të ndahej për aprovim në të dyja vendet në nivelin e institucioneve që duhet ta bëjnë këtë.
Ai theksoi se në dritën e zhvillimeve në Ukrainë dhe agresionin ushtarak të Rusisë kundër Ukrainës, zgjerimi i Bashkimit Evropian me vendet e Ballkanit Perëndimor, nuk është më çështje vetëm e zgjerimit, por paraqet edhe çështje gjeostrategjike.
Megjithatë, kryeministri shtoi se është jofalënderuese të parashikohet se si do të ndikojnë zhvillimet në Ukrainë në procesin e integrimit evropian të rajonit dhe mbi të gjitha në shpejtësinë e anëtarësimit të vendit në Bashkimin Evropian.
Në mënyrë deklarative, Bashkimi Evropian dëshiron të përshpejtojë këtë proces. Gjithashtu, të gjitha deklaratat e përfaqësuesve të SHBA-së janë në këtë drejtim. Megjithatë, para nesh ka sfida dhe çështje të hapura politike me Bullgarinë fqinjë, që duhet të zgjidhen së pari dhe sigurisht të zgjidhen në frymën e vlerave evropiane dhe më pas mund të flasim për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare.
Ambasadori bullgar në Tiranë, Momçil Rajçevski dje gjatë vizitës së tij në qytetin shqiptar Korçë theksoi se Bullgaria është në një periudhë shumë intensive bisedimesh me Maqedoninë e Veriut.
“Qeveria bullgare ka formuar 10 grupe punuese që punojnë për interesin e përbashkët dhe presim që së shpejti të arrijmë rezultate konkrete”, tha Rajçevski, duke theksuar se Bullgaria ka qenë dhe do të mbetet një nga mbështetësit më aktivë të zgjerimit evropian.
Lidhur me deklaratën e kryeministrit shqiptar Edi Rama se do t’i kërkojë Bashkimit Evropian ndarjen e proceseve integruese evropiane të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, duke pasur parasysh veton bullgare që bllokon fillimin e negociatave për anëtarësim, Rajçevski tha se nuk dëshiron ta komentojë paralajmërimin e tillë.
“Ajo që do të kërkojë Shqipëria është një vendim i Republikës së Shqipërisë. Nuk mund të komentoj për kushtet, por e them sërish se Shqipëria e ka bërë punën e saj”, tha ambasadori bullgar.
Rama tha të enjten se ai nuk ishte optimist se Bullgaria do të heqë së shpejti veton e saj për fillimin e negociatave mbi vendin dhe se Shqipëria do të kërkojë për këtë arsye ta vazhdojë kandidaturën për anëtarësim veçmas nga Maqedonia e Veriut. “Shqipëria nuk mund të presë më derisa dy fqinjët të zgjidhin mosmarrëveshjen e tyre”, tha Rama, duke shtuar se Tirana ka marrëdhënie të mira me të dyja vendet.
Pas polemikës në Bullgari që shkaktoi lideri i partisë Ka një popull të tillë, Sllavi Trifonov, i cili në një postim në Fejsbuk e akuzoi kryeministrin bullgar Kiril Petkov se dëshiron fillimin e negociatave ndërmjet Maqedonisë së Veriut me BE-në deri në fund të qershorit, pa asnjë garanci ligjore për respektimin e të drejtave të bullgarëve në vend dhe se veprimet e veta i bën pa koordinim me Ministrinë bullgare të Punëve të Jashtme, partnerët e koalicionit dhe Asamblenë Kombëtare, deklaroi dje partia opozitare Qytetarë për Zhvillim Evropian të Bullgarisë ( GERB) e Bojko Borisov, i cili i kërkoi presidentit bullgar të thërrasë një seancë të re të Këshillit konsultativ për siguri kombëtare (KSNS) për të sqaruar qëndrimin e Sofjes për vendin.
“Ndoshta është koha për një KSNS të re, që të qartësohet qëndrimi i Bullgarisë ndaj Republikës së Maqedonisë së Veriut. Duhet të kemi një qëndrim të përbashkët. Duket se ka disa hezitime dhe sinjalet që po dërgojmë jashtë nuk janë të mira,” deklaroi zëvendës-koordinatori i Grupit Parlamentar të Qytetarëve për Zhvillim Evropian të Bullgarisë dhe Lidhjes së Forcave Demokratike. Toma Bikov për Radion kombëtare bullgare.
Bikov është i bindur se nuk ka ndryshim në qëndrimin e Bullgarisë ndaj Maqedonisë së Veriut, duke shtuar se nëse “dikush pretendon të kundërtën, e ke lejuar të gënjejë”.
Nga ana tjetër, ligjëruesi dhe bashkëpunëtori i lartë në Shkollën e studimeve të avancuara dhe ndërkombëtare në Universitetin “Xhon Hopkins” në Uashington, Edvard Xhozef në bisedë për MIA-n se tha edhe pse lufta në Ukrainë është mbi të gjitha prioritetet e SHBA-së dhe BE-së, duhet bërë përpjekje të tejkalohet bllokada në Sofje për integrimin evropian të vendit.
Me luftën, SHBA dhe BE duhet të bëhen më serioze për të lejuar një veto të tillë të pajustifikuar dhe shkatërruese. Bullgaria mohon përparimin në BE, si në Maqedoninë e Veriut ashtu edhe në Shqipëri, diçka që Shkupi dhe Tirana e kanë fituar me meritë,” tha Xhozef.

