Bien humbjet në rrjetin elektroenergjetik të Kosovës

Mobilizimi i më shumë se 50 ekipeve në baza ditore në tërë Kosovën ka sjell rezultat në uljen e humbjeve në 15.96%. Kështu ka njoftuar KEDS-i përmes një komunikate për media.

Sipas KEDS-it këto të dhëna bazohen në raportin e fundit të tetorit të këtij viti, sipas së cilit nga 31% sa ishin humbjet nga viti 2013 ato janë minimizuar në gati 50 për qind.

“Ekipet tona janë të pajisura me mjetet më moderne për identifikimin e vjedhjeve të energjisë elektrike dhe arrijnë t’i zbulojnë edhe format më të sofistikuara. Pra, askush nuk mund t’i ikë regjistrimit të kilovatëve të shpenzuar, prandaj konsumatorët nuk duhet të jenë pre e joshjeve të ndryshme nga individë të papërgjegjshëm”, thuhet në komunikatë.

KEDS poashtu njofton se forma e vetme ku ata që furnizohen me energji elektrike nuk do të kenë asnjë telashe është forma e ligjshme, përkatësisht duke regjistruar secilin kilovat përmes njehsorit që e vendos KEDS-i.

“Rastet e devijimit nga ligjshmëria janë duke hasur në forcën e ligjit dhe duke marrë përgjigjen e merituar. Rastet e keqpërdorimeve dorëzohen në departamentin përkatës të KEDS-it, prej ku parapërgatiten për procedim të mëtutjeshëm në gjykatat e Kosovës”, thuhet tuje në komunikatën e KEDS-it.