Beyer: Ka ardhur koha për shkëputjen e Shqipërisë nga MV

Deputeti i Bundestagut, Peter Beyer (CDU) tha në Tiranë, se Gjermania e mbështet idenë e anëtarëve të asociuar në BE, si një mundësi për të bashkëpunuar më ngushtë dhe afruar këto vende me BE.

Peter Beyer, deputet dhe kryeraportues për Shqipërinë në Komisionin e Jashtëm të Grupit Parlamentar të CDU/CSU në Bundestagun gjerman deklaroi në Tiranë, se ka ardhur koha për shkëputjen e Shqipërisë nga Maqedonia e Veriut, (MV) lidhur me hapjen e negociatave të anëtarësimit dhe zhvillimin e Konferencës së parë ndërqeveritare të vendeve anëtare të Bashkimit Europian.

“Ka pak pak gjasa që brenda Presidencës franceze të Këshillit Europian, që mbaron në fund të këtij muaji, Bullgaria të heqë dorë nga veto kundërshtuese ndaj Maqedonisë së Veriut për hapjen e negociatave. Nëse Bullgaria nuk tërhiqet ka ardhur koha që Shqipëria të shkëputet nga Maqedonia e Veriut. Asnjë prej dy vendeve nuk duhet të mbetet peng i tjetrit”, tha Beyer në konferencën e shtypit të mbajtur të martën, (07.06) në përfundim të vizitës së tij zyrtare në Tiranë.

Bullgaria vendosi veton ndaj Maqedonisë së Veriut në nëntor 2020 për shkak të mosmarrëveshjeve lidhur me gjuhën dhe identitetin e Maqedonisë së Veriut. Autoritetet bullgare njohin gjuhën dhe identitetin maqedonas vetëm pas vitit 1945. Sipas tyre para kësaj periudhe ato kanë pasur “rrënjë bullgare”. “Kemi një situatë të turpshme për Bashkimin Europian në atë që po ndodh me Bullgarinë. Shqipëria s’duhet të vuajë në këtë proces. Ka ardhur momenti të zhbllokohet kjo situatë dhe për këtë gjë unë i bëj thirrje Bullgarisë ta tërheqë këtë bllokim”, tha Peter Beyer në konferencën për shtyp.