Betimi i kryetarëve në veri: Edhe nëntë ditë afat, Presidentja e Krasniqi “lëshojnë” alarmin

Shkup, 19 maj – Pas seancës solemne ku u betua Kryetari i ri i Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq që vjen nga rradhët e Lëvizjes Vetëvendosje, është deklaruar Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e një natë më parë edhe Kryetari i PDK-së Memli Krasniqi, parti kjo që ka fituar Zubin Potokun e Zveçanin, por që kryetarët e rinj, nuk janë betuar ende.

Osmani pas betimit të Atiq, tha se edhe kryetarët e tjerë të zgjedhur në komunat veriore “e kanë detyrim” që brenda afatave ligjore të kryejnë betimin dhe të fillojnë punën, e Krasniqi u ankua, s’e kryetarët e Zubin Potokut e Zveçanit s’po përkrahen nga Qeveria. Ndërkohë, afati i betimit tashmë është “ngushtuar” në nëntë ditë.

Çka thotë ligji, a mund ta humb mandatin kryetari që s’betohet?

Ligji për Vetqeverisje Lokale, e rregullon edhe afatin ligjor për betimin e kyetarëve të zgjedhur. Madje aty specifikohet edhe humbja e mandatit nëse kalon afati prej një muaji.

Në nenin 57 të këtij ligji, në kapitullin e quajtur Betimi, shkruan: “Kryetari që dështon ta japë betimin brenda një (1) muaji nga certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve e humbet mandatin

Meqenëse, rezultatet për zgjedhjet në Komunat veriore janë certifikuar nga KQZ, me datë 28 prill, atëherë del se 28 maji (nëntë ditë nga këtu), është afati i fundit për tre kryetarët, që ta bëjnë betimin, përndryshe humbet mandate.

Çka tha Presidentja?

Osmani pas betimit të Atiq, tha se edhe kryetarët e tjerë të zgjedhur në komunat veriore “e kanë detyrim” që brenda afatave ligjore të kryejnë betimin dhe të fillojnë punën

Në lidhje me bojkotin pothuajse absolut të zgjedhjeve nga komuniteti serb ajo beson se bojkoti “nuk ishte vullnet qytetar”.

Për adresë të këtij bojkoti të komunitetit serb të Kosovës, Osmani e dha Beogradin dhe Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili, sipas Osmanit, përmes “strukturave të tij ilegale dhe kriminale në veri të Kosovës të cilët vazhdimisht kanë frikësuar, shantazhur dhe kërcënuar qytetarët serb në veri”.

Çka është me rëndësi është që të gjithë kryetarët të punojnë me qytetarët që banojnë në këto katër komuna dhe ti bindin që të gjitha projekt janë në të mirë të tyre, shërbimet administrative janë në të mirë të tyre, siguria është në të mirë të tyre. Projektet ekonomike i fuqizojnë ata, pra secili veprim është për të mirën e qytetarëve dhe jo të kundërtën, dhe ne presim që të gjitha këto procedura të shkojnë pa ndonjë problem dhe pa ndonjë tension”, tha ajo, siç e citoi Ekonomia Online.

Tash jemi në një situatë ku përkundër përqindjes së vogël ligji nuk kërkon ndonjë përqindje të caktuar të pjesëmarrjes. Dhe kryetarët dhe të gjithë të zgjedhurit kanë detyrim që brenda afateve ligjore ta bëjnë betimin dhe të fillojnë punën e tyre”.

Dje pesë shtetet e QUINT’it dolën me një deklaratë të përbashkët ku këto zgjedhje i quajtën “konsistente me ligjet dhe kushtetutën e Kosovës” por se si të tilla pa pjesmarrje të komunitetit serb “nuk ofrojnë zgjidhje afatgjate politike”.

Ne u bëjmë thirrje të gjithë aktorëve që urgjentisht të punojnë së bashku midis të gjitha palëve të interesuara, përfshirë komunitetet lokale, drejt një zgjidhjeje që siguron demokraci të qëndrueshme përfaqësuese pjesëmarrëse në këto komuna”.

Mes tjerash, QUINT tha edhe rreth kryerjes së betimeve që jo me doemos kërkohet që betimet të kryher në objektet komunale të cilan mund të mos jenë të qasshme. Gjithashtu ata kërkuan edhe shmangien e veprimeve të forcës. Ndërkaq për kryetarët kërkuan të mos ushtrojnë pushtete më të gjera se administrative.

Nuk duhet të ketë veprime apo iniciativa – përfshirë kryetarët e sapozgjedhur të komunave dhe kuvendet komunale – që nuk i shërbejnë popullit ose që mund të rrisin tensionet. Kjo përfshin ushtrimin e më shumë se kompetencave administrative dhe procesin e marrjes së detyrës pasi nuk ka kërkesë që kryetarët e komunave të bëjnë betimin në zyrat komunale. Të gjitha palët duhet të përmbahen nga përdorimi i forcës ose veprimet që ndezin tensionet ose nxisin konfliktin”, shkruan ata.

Ne mbështesim dialogun e lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke përfshirë nevojën për përparim urgjent për krijimin e Asociacionit”, përfundonte komunikata për media

Krasniqi jep një datë, thotë se Qeveria s’po i përkrahë

Në anën tjetër Krasniqi e ka quajtur më “problematike” betimin e tre kryetarëve të tjerë, duke akuzuar edhe Qeverinë, për mos ofrim të kushteve.

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka kritikuar Qeverinë e Kosovës që nuk ka ofruar kushte që kryetarët e rinj t`i marrin detyrat sipas ligjit.

Ai ka treguar se kryetarët e Zubin Potokut dhe Zveçanit, të cilët janë kandidat të PDK-së, do të betohen më 26 maj.

Unë kom kërkuar prej Qeverisë me kriju kushtet për me e dhanë njerëzit betimin. Këta janë marrë vetëm me kandidatin e vet në Mitrovicë të Veriut. Nesër e ka betimin kryetari i zgjedhur i Mitrovicës së veriut”, ka thënë Krasniqi mbrëmë në Kanal 10.

Ai ka thënë se Qeveria edhe me këtë proces po bën propagandë.

A e dini pse e kanë bërë? Sepse në Mitrovicë të veriut është një ndertës komunale të cilën e ka ndërtuar Qeveria e Kosovës në kohen kur ka qenë ajo Zyra Ndërlidhëse me Ardiana Hoxhiqin. Aty mundet me shku ky kryetari. Edhe aty po duan të na tregojnë një pallavër propagantisitke, duke thënë se këtu jemi hy në organ komunal”, ka thënë Krasniqi.

Sipas tij, problem do të jetë betimin i kryetarëve në tri komunat tjera.

“Ndërsa pikëpyetja më e madhe dhe arsyeja që kanë tentua me u tërheq prej procesit në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok është se nuk munden me garantu më shku në ndërtesat e komunave. Nuk munden”, ka thënë Krasniqi.

Ai ka bërë me dije se dy kryetarët nga partia e tij do të betohen javën e ardhme.

Përgatitjet që i kanë bërë dhe ftesat që i kanë dorezu për Zveçan dhe Zubin Potok, nëse nuk gaboj është date 26 maj, pra java e ardhshme”, ka thënë Krasniqi.