Berisha: SPAK s’ka gjetur asnjë fakt kundër meje

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi sot se, SPAK nuk ka gjetur asnjë fakt ndaj tij në çështjen për privatizimit të ish-klubit sportiv “Partizani”.

Në një konferencë për mediet, Berisha tha se, “prokurorët e SPAK e bazojnë padinë e tyre 500 faqe fund e krye në mashtrime, manipulime, falsifikime dhe fshehje të dokumenteve zyrtare dhe përpjekje për të rrëzuar ligjet me dëshmitarë të rreme, shpalljen e bamirësisë, sevapit, vepër penale dhe po kështu shpalljen ryshfet të marrë nga Sali Berisha sipas tyre, sponsorizimin nga Fatmir Bektashi të Ministrisë së Kulturës për udhëtimin e dy këngëtarëve”.

Sipas tij prokurorët e SPAK-ut “pasi nuk kanë gjetur asnjë shkelje të vetme ligjore dhe asnjë dokument të firmosur nga Sali Berisha në dhjetëra e dhjetëra dokumente të procesit të njohjes, kthimit dhe parablerjes nga pronarët legjitimë të pronës në klubin Partizani, pasi nuk kanë gjetur asnjë dëshmitar që të pohojë se Sali Berisha dhe Jamarbër Malltezi kanë bërë ndërhyrjen më të vogël në këtë proces, dhe për të mbrojtur Edi Ramen nga një abuzim i padëgjuar, kanë bërë në piramidën e tyre të mashtrimit, atë që nuk mund ta imagjinojë njeri”.

Ai theksoi se “ata kanë shpallur Sali Berishën kryetar të Bashkisë së Tiranës, vetëm e vetëm për të mbrojtur Edi Ramën”.