Berisha: Policia s’ka hyrë kurrë në parlament, akt puçist

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha e ka cilësuar si “akt puçist” ndërhyrjen e policisë një ditë më parë në parlament, ku u përplas me deputetët e opozitës.

Gjatë një konferenca për mediet, nga “arresti i shtëpisë”, kreu i PD-së tha se veprimet e djeshme ishin tipike të një diktature dhe se kurrë nuk ka ndodhur që policia të futet në parlament.

“Dhe unë dëgjova opinionistë të krahut qeveritar se këto kanë ndodhur, nuk kanë ndodhur kurrë, u them unë atyre, që policia të hyjë në parlament. Nuk ka ndodhur kurrë. Por mos shfrytëzoni mikrofonat për të mashtruar publikun. Pra, ka një ligj dhe një Kushtetutë, por ky regjim nuk ka as ligj dhe as Kushtetutë”,- tha Berisha.

“Unë e përgëzoj deputetin Luan Baçi për përgjigjen që i dha dhe ftoj çdo qytetar t’u japë këtyre banditëve përgjigjen që meritojnë. Pra, ishte, po ta marrësh, po këta nuk kanë as ligj dhe as Kushtetutë, se ato ishin akte puçiste. Nuk mund të fusësh në territorin e parlamentit, pa vendim të parlamentit, forca të tjera përveç Gardës së Republikës”,- u shpreh Berisha.

Berisha theksoi në fjalën e tij se “mosbindja civile do t’u japë përgjigjen më të merituar këtyre akteve kriminale antikushtetuese ndaj opozitës”.

Gjatë fjalës së tij Berisha tha se PD do të ketë pikë kryesore të programit Komisionin e së Vërtetës, që do të përbëhet nga qytetarë, nga zyrtarë, anëtarë të partive politike dhe anëtarë të shoqërisë civile, por edhe përfaqësues të komunitetit ndërkombëtar.

“Kërkesën për Komisionin e të Vërtetës do e paraqesim në Bruksel, në Strasburg, në Kongresin e SHBA dhe Senatin e këtij vendi pas zgjedhjeve, në të gjitha parlamentet e Evropës. Ne do bëjmë detyrën tonë, sepse krimi i organizuar shqiptar nuk është vetëm një problem shqiptar”, u shpreh Berisha.