Berisha: Në Shqipëri është vendosur një monizëm më i fuqishëm se ai i rrëzuar në vitet 1990-1991

Kryetari i ‘Rithemelimit’ në Partinë Demokratike, Sali Berisha u shpreh të shtunën në një takim me Forumin e Gruas të kësaj partie, se PD, sipas tij, “është në një betejë për jetë dhe vdekje për ekzistencën e saj”.

“Kjo parti, që përmbysi dhe ndau epoka dhe solli për shqiptarët epokën më të ndritur në tërë historinë e tyre, ka një trashëgimi të jashtëzakonshme. Por në qoftë se si njerëz që do u përmbahemi të vërtetave, duhet të pranojmë se ajo epokë që solli PD, ka marrë fund. Ajo nuk ekziston më në parimet e saj të lirisë përveç tregut, ajo epokë nuk ekziston më në Shqipëri”, u shpreh Berisha.

Sipas tij, sot në Shqipëri është vendosur një monizëm më i fuqishëm se ai i rrëzuar në vitet 1990-1991.

“Ne jemi sot opozitarët e kauzave të tradhtuara. Sepse ne nuk duhet të lejonim kurrë të ndodhnin këto. Ne kishim çdo fuqi për të mos lejuar instalimin e kësaj që është instaluar”, tha Berisha.

Ai tha se ‘de facto’, Kuvendi nuk ekziston më dhe kjo është meritë e jashtëzakonshme e deputetëve të parlamentit.

”Beteja e tyre kundër meje, në fakt, ka qenë beteja ime kundër tyre. Ka qenë beteja e Sali Berishës kundër tyre. Sepse unë i detyrova ata të ndjekin çdo hap në rrugë antikushtetuese, antiligjore”, tha Berisha sa i takon autorizimit të Kuvendit për SPAK për masë sigurie ‘arrest me burg’ apo ‘arrest shtëpie’.

Berisha tha se mosbindja civile është beteja pa kthim me moton ‘o sot o kurrë’. Sipas tij, kjo mosbindje ka dhënë rezultatet e para të shkëlqyera.