Berisha: Kurti të veproj kundër krimit ndërkufitar, mos t’i mbuloj incidentet  me retorikë të rrejshme patriotike

Ish-zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Anton Berisha, ka thënë se kryeministri Albin Kurti duhet të veproj kundër krimit ndërkufitar.

Berisha përmes një postimi në Facebook, ka shkruar se është përgjegjësi e kryeministrit Kurti që të luftoj krimin e organizuar e jo t’i mbuloj incidentet me retorikë të rrejshme patriotike.

“Përderisa lufta reale ruso-ukrainase për Donbas ka nisur përshkallëzimin e plotë, Kurti në përpjekje për të imituar Zelenskin po përshkallëzon retorikën e luftës imagjinare me Serbinë.

E në fakt, si kryeministër i vendit Kurti do të duhej të veproj kundër krimit ndërkufitar që hyn në përgjegjësinë e tij, dhe jo t’i mbuloj incidentet  me retorikë të rrejshme patriotike”, ka shkruar Berisha.

Ndryshe dje, kryeministri Albin Kurti duke folur për sulmet ndaj Policisë së Kosovës në veri të vendit, tha se do të kenë zero tolerancë ndaj strukturave ilegale të Serbisë e krimit të organizuar.

“Me strukturat ilegale të Serbisë, me krimin e organizuar kurrë nuk do të ketë asnjë gram tolerancë nga Qeveria e Kosovës, shteti i Kosovës nga MPB dhe Policia e Kosovës”, tha Kurti.