Berisha: Deputetët të qëndrojnë në ballë të revoltës, bëni gjithçka në mosbindjen civile
Sali Berisha, në një videokonferencë me gazetarët këtë të martë, iu ka bërë thirrje deputetëve dhe drejtuesve lokalë të Partisë Demokratike që të bëjnë gjithçka në mosbindje civile për t’i shkurtuar ditët regjimit të drogës.
“Jam këtu për t’u bërë thirrje të gjithë deputetëve të parlamenteve lokale, të bëjnë gjithçka në mosbindje civile për t’i shkurtuar ditët regjimit të drogës, krimeve monstruoze.
Të ftoj dhe njëherë të gjithë drejtuesit lokalë dhe qendrorë të PD-së në dalin në ballë të revoltave dhe mosbindjes civile në të katër anët e vendit.
T’u faktojmë shqiptarëve dhe botës se diktatura në Shqipëri i ka ditët e shkurtra. Se Shqipëria sundohet nga grupi mafioz më i rrezikshëm qeveritar në Evropë. Se shteti ligjor është zëvendësuar me kodin e mafies.
Se shqiptarët janë të gatshëm për çdo sakrificë për të votuar të lirë si të gjithë qytetarët europianë. Se ata do përdorin të gjitha mjetet e ligjshme të protestës kur janë përballur me regjime diktatoriale në Europë dhe botë”, tha Berisha.
Më tej, Berisha garantoi se opozita ka zbritur në shesh dhe nuk do tërhiqet. “Të gjitha këto janë akte të një regjimi kriminal, i lidhur kokë e këmbë me krimin dhe drogën, me të cilin kërkon të shuajë zërat e opozitës. Ju garantoj se opozita ka zbritur në shesh dhe gjer në përmbushjen e misionit të saj, e vendosur për çdo sakrificë, e vendosur për qëndresën më të fuqishme, ajo nuk tërhiqet”, tha Berisha.