Berisha: Asnjë kusht për bashkimin e PD

Kryetari i PD-së, Sali Berisha është shprehur se në bisedimet për bashkimin e partisë nuk ka asnjë kusht.

Duke folur në ‘Opinion’, Berisha është shprehur se janë marrë kontakte dhe janë të gjitha kushtet për një bashkim të vërtetë.

‘Kontakte kanë marrë. Jam i bindur se ekziston çdo bazë për një bashkim të vërtetë, në një betejë shumë të rëndësishme për PD, për demokracinë shqiptare.

Nga grupi ynë ka zero kushte, tërësisht e hapur. Por mesa kam dëgjuar edhe deputetët e tjerë, nuk kanë kushte, dhe bashkimi kështu ndodh. Dy palë do të bëjnë më të mirën për zgjedhjet e ardhshme.

Ata janë anëtarë të PD, janë deputetë të saj. Ata kanë të gjitha të drejtat e anëtarëve të PD-së.

Hapat që ata kanë bërë janë plotësisht të pranueshëm. Na takon edhe ne, kemi qenë të hapur dhe jemi të hapur, absolutisht pa kushte.

Unë mendoj se deklaratat e tyre dhe dëshira e tyre për tu bashkuar në një betejë, ata janë të gjithë anëtarë, deputetë të PD-së.

Gjykata ka një vendim, që e njohin krejt shqiptarët. Unë nuk them se nuk ka probleme, por fakti se ata ofrohen pa kushte, është një moment që mund të bëhet një bashkim i të gjithë PD-së dhe të ecet drejt fitores.

Në negociatë i njoh si anëtarë të PD-së dhe deputetë të saj’, u shpreh Berisha gjatë emisionit ‘Opinion’.