Bekteshi për punën e qendrave tregtare: Do të ketë mbështetje nga Qeveria

Shkup, 27 gusht – Shitore të zbrazëta, kjo është pamja që i përshkuan qendrat tregtare që kur në fuqi hynë masat – pa certifikatë për vaksinim të mos lejohet hyrja e vizitorëve.

Kjo pamje, sipas qendrave tregtare do të thellojë krizë ekonomike që është duke u zhvilluar që një viti e gjysmë.
Kërkojnë heqjen e masave, pasi siç thonë, protokollet që zbatohen në to, sigurojnë mbrojtje të mjaftueshme të klientëve.

“Ky është tregues se qendrat tregtare nuk janë vende ku shpërndahet virusi. Mbajtja e maskës është e obligueshme në qendra tregtare, ka kufizime të numrit të vizitorëve në shitore, ekzistojnë sinjalizime për mbajtjen e distancës, në çdo kënd ka mjete për dezinfektim, ka orar për dezinfektim në të gjitha vendet ku kanë qasje vizitorët, të gjithë sistemet për ventilim pastrohen dhe rregullisht dezinfektohen”, thanë nga Qendra Tregtare “Ramstore Mall”.