Bekteshi: Marzhi për tregtinë e energjisë elektrike është kufizuar në 10 për qind

Shkup, 9 shtator – Ministria e Ekonomisë ka përcaktuar marzhin më të lartë për tregtinë e energjisë elektrike për të gjitha kompanitë tregtare dhe tregtarët individualë që tregtojnë në tregun e energjisë elektrike me shumicë dhe pakicë maksimalisht 10 për qind, si masë e re për përballje më të lehtë me krizën energjetike.

Ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi në konferencën e sotme pas brifingut me gazetarë, shpjegoi se një vendim i tillë vjen pasi është konstatuar se disa kompani dhe institucione publike, shkolla të mesme dhe fillore nuk kanë lidhur asnjë kontratë për furnizimin me energji elektrike dhe blerjen e energjisë elektrike nga një furnizues në rastin përfundimtar.

Siç theksoi ministri, EVN në mënyrë të panevojshme bën shpenzime dhe dëme në kurriz të buxhetit të institucioneve që menaxhon dhe paguan çmim shumë më të lartë për energjinë elektrike, i cili llogaritet sipas Bursës Rajonale Hungareze HUPEX.

“Fatkeqësisht këto subjekte shpenzojnë buxhetin pa nevojë, qofshin të pushtetit vendor apo të një komune të caktuar ku janë shkollat ​​fillore dhe të mesme, qoftë në nivel qendror, sepse ato mjete mund të përdoren për investime për përmirësimin e kushteve, dhe ata nga janari e deri më sot nuk kanë lidhur kontratat dhe paguajnë rrymën rreth 50 për qind më shtrenjtë se sa është në bursa. Për këtë arsye ne si Qeveri kemi vendosur që të bëjmë ndryshime të tilla dhe përveç kësaj do të kërkojmë raporte në fillim të tetorit se sa po kursehet energjia elektrike nga këto institucione dhe nëse i kanë lidhur kontratat në përputhje me rrethanat, të gjitha me qëllimin për të kontribuar në zbutjen e krizës energjetike, e përveç kësaj, të mos shpenzohet buxheti i qytetarëve në mënyrë të papërgjegjshme, tha Bekteshi.

Sipas vendimit të Qeverisë, marzhi i ri duhet të aplikohet para fillimit të sezonit të ngrohjes dhe të jetë i vlefshëm deri më 15 prill 2023.

Ministri Bekteshi gjithashtu informoi edhe për vendimin e marrë nga Komisioni Rregullator, i cili zvogëlon marzhin e llogaritur nga furnitori final për subjektet që nuk kanë lidhur kontratë me furnizues.

“Komisioni Rregullator për Energjetik bëri një ndryshim në Rregulloren e Furnizimit me Energji Elektrike si mjet i fundit, ku marzhi i llogaritur nga furnizuesi final është ulur nga 50 për qind në 20 për qind”, tha Bekteshi.

Sipas vendimit të Qeverisë, tregu me shumicë i energjisë elektrike përfshin: një treg me kontrata dypalëshe, një treg të organizuar, përkatësisht një treg të ditës përpara dhe një treg të ditës aktuale dhe një treg të balancuar të energjisë.

Pjesëmarrës në tregun me shumicë të energjisë elektrike janë: prodhuesit e energjisë elektrike, tregtarët e energjisë elektrike, furnizuesit e energjisë elektrike, konsumatorët e energjisë elektrike që plotësojnë kushtet për pjesëmarrje të pavarur në treg të përcaktuara në rregullat e tregut të energjisë elektrike, operatori i sistemit të transmetimit të energjisë elektrike, operatori i sistemit të shpërndarjes së energjisë elektrike, operatori i sistemit të mbyllur të shpërndarjes së energjisë elektrike dhe operatori i tregut të energjisë elektrike.

Bekteshi gjithashtu paralajmëroi se Ministria po shqyrton mundësinë e lidhjes së marrëveshjes me Serbinë, sipas së cilës të dy vendet do të mund të transferojnë reciprokisht sasi të caktuara të energjisë elektrike.