Bekteshi-Byrnes: Mbështetja ekonomike nga SHBA-të është kyçe për zhvillimin e vendit

Shkup, 11 mars – Bashkëpunimin midis të dyja vendeve, pasojat ekonomike që mund të ndodhin si pasojë e konfliktit ruso-ukrainas, si dhe realizimin e projekteve infrastrukturore, para së gjithash në fushën e energjetikës të cilat janë kyçe për zhvillimin e vendit tonë, ishin në fokusin e bisedimeve të ministrit të Ekonomisë Kreshnik Bekteshit me ambasadoren e SHBA-së në vend Kejt Mari Bërnz.

Siç bëri të ditur Ministria e Ekonomisë, në kuadër të takimit, ministri prezantoi projektet e realizuara dhe aktivitetet e planifikuara të Ministrisë së Ekonomisë në fushën e energjetikës, tregtisë, inovacionit, mbështetjes së investitorëve të huaj.

Bekteshi e informoi ambasadoren për pakon e 26 masave të miratuara nga Qeveria në mbështetje të ekonomisë dhe theksoi se situata po monitorohet nga afër, veçanërisht në sferën e çmimeve të energjisë, për të cilat po zhvillohen skenarë për rezultate të mundshme.

Ai shprehu mirënjohjen e tij për Qeverinë e SHBA-së si partner kryesor strategjik, e cila vazhdimisht i jep mbështetje të konsiderueshme Qeverisë sonë në zbatimin e aktiviteteve që synojnë rritjen ekonomike dhe stabilitetin e vendit, qëndron në kumtesë.

Në takimin mes ministrit Bekteshi dhe ambasadores Bërns, u bisedua edhe për vendosshmërinë për vazhdimin e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve me theks të veçantë në nxitjen e projekteve dhe investimeve që do të mundësojnë pavarësinë e përhershme dhe të qëndrueshme energjetike të Maqedonisë së Veriut.

Të dy bashkëbiseduesit u pajtuan se sfida kryesore për ekonominë e vendit për momentin është ballafaqimi me pasojat ekonomike të konfliktit ruso-ukrainas.

Në takim u shpreh mirënjohja për mbështetjen e Maqedonisë së Veriut, e cila si aleate e NATO-s iu bashkua thirrjes për ndërprerjen veprimeve ushtarake në Ukrainë, shtohet në kumtesën e Ministrisë së Ekonomisë.