Bastisje në Shkup, arrestohen dy dilerë pasi u gjendet drogë

Shkup, 29 nëntor – Para një banese në rrugën “Varshavska” në Shkup dje në ora 14:05, efektivë të policisë nga ekipi operativ për kërkim dhe nga Njësiti për tregti të paligjshme në SPB Shkup e kanë privuar nga liria P.M. (32). dhe D.I (34), të dy nga Shkupi.

Siç njoftoi sot MPB, për D.I. me urdhër të Gjykatës Themelore Shkup 1 është lëshuar fletarrest qendror për vuajtje të dënimit me burgim prej dy vitesh për veprën penale “prodhim i paautorizuar dhe vendosje në treg të narkotikëve, substancave psikotrope dhe prekursorëve” nga neni 215 i Kodit Penal.

“Me rastin e marrjes së masave për arrestimin e tij, mësohet se në rajonin e Shkupit D.I. kryen shitje të drogave narkotike. D.I. dhe P.M. janë privuar përballë banesës që e përdorte D.I. për mbajtje dhe ripaketim droge, gjatë së cilës të dyve u është gjetur marihuanë”, sqarojnë nga MPB-ja.

Më pas me vendim gjykate është kryer bastisje në banesë dhe janë gjetur dhe konfiskuar një kavanoz i madh me marihuanë, dy qese me marihuanë, një qese me material pluhuri të bardhë, kapsula me materie pluhuri kafe dhe një peshore digjitale.

Me urdhër të gjykatës është kontrolluar edhe në një banesë në rrugën “Prashka”, ku D.I. po qëndronte me të dashurën e tij dhe para ndërtesës u gjet një qese me marihuanë dhe një peshore digjitale me mbetje marihuane, të cilën e dashura e tij e kishte hedhur më parë nga dritarja.

MPB bën me dije se D.I. është dërguar për vuajtje të dënimit në Burgun e Idrizovës dhe P.M. është ndaluar në komisariat.

Pas dokumentimit të plotë të rastit, ndaj personave do të ngrihet kallëzim përkatës nga neni 215 i Kodit Penal..