Bashkëjetesa mes personave të gjinisë së njejtë, çfarë mendimi ka Kurti?

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka folur për Projektkodin Civil duke komentuar nenin 1,138 të këtij projektkodi që flet për bashkëjetesën mes personave të gjinisë së njëjtë.Sipas kryeministrit Kurti, ky nen është keqkuptuar dhe për të ka pasur keqinterpretime.

“Dua të theksoj që Kodi nuk rregullon martesat mes personave me seks të njëjtë, kjo dallon me bashkësinë e regjistruar civile ngase kjo e fundit mundëson vetëm bashkëjetesën dhe jo forma të funksionit familjar”, ka deklaruar Kurti.Kurti tha se të drejtat e njeriut janë të drejtat e të gjithë njerëzve sepse sipas tij gjithsecili është krijesë e Zotit dhe e Natyrës.

“Është një pikë me rëndësi e cila ka pasur keqkuptime e keqinterpretime e kjo është regjistrimi i bashkësive civile të personave me seks të njëjtë. Në fund të fundit të drejtat e njeriut janë të drejtat e të gjithë njerëzve sepse gjithsecili është krijesë e Zotit dhe e natyrës. Këtë e thotë edhe Kushtetuta e Kosovës dhe praktika e Gjykatës Evropiane për të drejtat e njeriut”, ka sqaruar Kurti.

Kurti shtoi se të regjistrimi i bashkësive të personave me sekse të njëjta është paraparë mundësia që këta persona të mund të regjistrohen si bashkësi civile.“Te regjistrimi i bashkësive të personave me sekse të njëjta, në nenin 1,138 është paraparë mundësia që këta persona të mund të regjistrohen si bashkësi civile. Kodi nuk e ka rregulluar, kushtet dhe procedurën për këtë institut të ri por vetëm në mënyrë afirmative ka përcaktuar që në të ardhmen do të rregullohet me ligj të veçantë”, ka njoftuar Kurti.“Pra Kodi nuk është i mjaftueshëm. Kjo është në pajtim të plotë edhe me Kushtetutën e cila nuk lejon asnjë lloj diskriminimi duke përfshirë edhe diskriminimin në bazë të gjinisë”, shtoi ai.