Basha përshëndet aplikimin e Kosovës në Këshillin e Evropës: Hapi tjetër, anëtarësimi në NATO

Ish-kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Basha, përshëndeti sot aplikimin e Kosovës për në Këshillin e Evropës dhe tha se hapi i radhës duhet të jetë nisja e procedurave për futjen e vendit në NATO.

Në fjalën e tij në Kuvend, Basha u shpreh se pavarësia e Kosovës është “investimi” më i suksesshëm global i demokracive perëndimore.

Ai e konsideroi moment kyç të zhvillimeve në rajon dhe për kombin shqiptar aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

“Ta konsiderojmë këtë ditë si pjesë të përpjekjes kombëtare për përfshirjen e Kosovës në gjithë zinxhirin e organizatave që përfaqësojnë identitetin tonë kombëtar e vlerave perëndimore. E në veçanti në shtytjen përpara të Forcave të Sigurisë së Kosovës dhe përgatitjen e procesit e dialogut politik për anëtarësimin e Kosovës në NATO”, tha Basha gjatë fjalës së tij në parlament.

Basha tha gjithashtu se do të japë të gjithë mbështetjen e tij për këtë proces që nisi sot për Kosovën, duke vlerësuar institucionet atje për atë që kanë bërë ndër vite.

“14 vite pas shpalljes së Kosovës së pavarur, rajoni ka përjetuar një çlirimin nga makthet e luftës. Personalisht ndjej kënaqësi të dyfishtë teksa shoh një hap të menduar e të planifikuar për vite me radhë në bashkëpunim mes qeverive të Tiranës dhe Prishtinës. Progresi i Kosovës është domethënës. Kjo dekadë ka shënuar rrëshqitje të indeksit të demokracisë në Ballkanin Perëndimor, por jo me Kosovën”, tha Basha.