Banori i Ohrit kërcënon një ambasador të huaj, arrestohet nga policia

Shkup, 21 prill – Ministria e Punëve të Brendshme në Maqedoninë e Veriut bëri të ditur të enjten për një kërcënim me jetë drejtuar një ambasadori të huaj në vend.

Kërcënuesi është një banor nga rrethi i Ohrit, sipas policisë, e cila në të tilla raste jep vetëm inicialet e të dyshuarit. R. B. është arrestuar për veprën penale ‘rrezikim ndaj sigurisë’.

Sipas njoftimit të Ministrisë së Rendit, autori ka kërcënuar më 14 prill me jetë përmes telefonit një ambasador të një ambasade të huaj, ndërsa nuk thuhen motivet dhe nuk jepen hollësi të tjera. Media lokale shkruan se bëhet fjalë për ambasadoren britanike, Rachel Galloway.

Policia e ka gjetur dhe arrestuar kërcënuesin. Prokuroria Publike ka ngritur akt-akuzë kundër tij.