Banka e Shqipërisë: Ekseset e shqiptarëve, çereku i familjeve në borxh me bankën ose me familjen

Gati 1/3 e familjeve shqiptare kanë të paktën një borxh për të shlyer. Këto janë gjetjet e vrojtimit të Bankës së Shqipërisë, sipas të cilit mbi gjysma e tyre, nuk i drejtohen bankave, por marrin para borxh te familjarët apo të afërmit për të blerë një makinë apo për të mbuluar shpenzime të tjera në jetën e përditshme.

Pjesa tjetër i drejtohen bankave apo institucioneve të tjera jo banka për të marrë hua, borxh që e përdorin kryesisht për blerje banese, rinovim apo për mobilimin e shtëpisë.

Veç tyre, shqiptarët marrin kredi për të blerë një makinë, për t’u shkolluar, për të shlyer borxhet e tjera apo për shpenzime të papritura, siç janë ato për shëndetin në rast të trajtimeve apo ndërhyrjeve të kushtueshme që duhet të kryejnë.

Rregullat e forta që bankat aplikojnë dhe frika se aplikimi i tyre mund të refuzohet bën që shqiptarët të ngurojnë t’u drejtohet atyre për të marrë një hua.

E në fakt, edhe vrojtimi i bankës e konfirmon se gjysma e familjeve që kanë aplikuar për kredi në bankë në tre vitet e fundit,  kanë marrë si përgjigje refuzimin e tyre.

Arsyet kryesore lidhen me të ardhurat e pakta të individëve që kërkojnë të marrin një kredi, punën që ata bëjnë apo mungesën e një prone apo banese në emrin e tyre për ta lënë si garanci në bankë.

Të ardhurat nga puna janë burimi kryesor për një familje shqiptare dhe pas tyre vijnë dërgesat e emigrantëve që së bashku kanë peshën kryesore që ndikojnë drejtpërdrejt jo vetëm në konsum, por edhe në kursimin e familjeve shqiptare.

Veç detyrimeve, vrojtimi i Bankës së Shqipërisë bën një pasqyrim edhe për pasurinë që kanë shqiptarët, që sipas saj për një familje llogaritet mesatarisht në 8.5 milionë lekë.