Balla: Policia e Shtetit do të rrisë vigjilencën gjatë festave, arrestohen autorët e dy grabitjeve

Ministri i Brendshëm, Taulant Balla deklaroi sot se “Policia e Shtetit do të rrisë vigjilencën gjatë festave të Fundvitit, ndërsa elementë të caktuar kriminalë tentojnë ta shfrytëzojnë këtë periudhë të vitit për veprimtaritë e tyre kriminale kundër pronës dhe personit”.

Në një postim në rrjetet sociale, Balla tha se “Policia e Shtetit ka arrestuar autorin e një grabitje në Tiranë dhe ka ndërhyrë në kohë për të parandaluar një tjetër në fshatin Prush”.

“Gjatë natës së mbrëmshme policia dhe prokuroria kanë avancuar drejt identifikimit dhe arrestimit të personave të përfshirë në këtë ngjarje”, theksoi Balla.

Mbrëmjen e djeshme në fshatin Prush, përballë ambulancës, në banesën e shtetasit G. H., janë futur disa persona, të armatosur. Me marrjen e njoftimit shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, dhe në momentin që janë afruar afër banesës, tre personat e armatosur, kanë qëlluar me armë ndaj tyre. Policia është përgjigjur me armë ndaj tyre.

Shërbimet e DVP Tiranë, RENEA, Forcat Kombëtare të Sigurisë, po vijojnë krehjen e zonës dhe kanë ngritur pika kontrolli në të gjitha akset kryesore dhe hyrje-daljet e Tiranës, për identifikimin dhe kapjen e autorëve të dyshuar.