Balje intervistohet nga Prokuroria pas deklaratave lidhur me një rast të dhunës seksuale gjatë luftës

Deputetja e Kuvendit të Kosovës, Duda Balje, është intervistuar pas deklaratave të bëra më 12 shkurt në publik, në emisionin “Oxygen”, ku ka thënë se ka njohuri lidhur me një rast të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.

Prokuroria ka njoftuar se ka kërkuar nga deputetja Balje të dhëna lidhur me atë që ka deklaruar në emision, për emrin e viktimës ose ndonjë informacion tjetër, transmeton Zeri.info.

“Gjatë intervistës, Prokuroria ka kërkuar nga deputetja Balje të dhëna lidhur me atë që ka deklaruar në emision, për emrin e viktimës ose ndonjë informacion tjetër në mënyrë që prokuroria të kontaktojë me viktimën. Mirëpo, deputetja lidhur me këtë rast ka deklaruar se nuk e di emrin e viktimës dhe se nuk e ka as numrin e telefonit të saj, e as ndonjë informacion lidhur me kryesin e mundshëm të krimit”, thuhet në njoftim.

Sipas Prokurorisë, nga deputetja Balje nuk është arritur të sigurohet asnjë informacion që do të paraqiste bazë për hapjen hetimit të rastit.

“Andaj, Prokuroria Speciale u bën thirrje të gjitha viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovës që ta denoncojnë krimin në prokurorinë kompetente, e cila garanton mbrojtjen e identitetit të tyre. Gjithashtu, i fton të gjithë qytetarët, të cilët disponojnë me informacione relevante për rastet e tilla, t’i raportojnë në prokurori e jo për këto raste fillimisht të diskutohet në emisione të ndryshme të karakterit argëtues”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.