Bajdeni e nominoi Axhej Bangën kryetar të ri të Bankës Botërore
Presidenti amerikan Xho Bajdeni e nominoi ish-drejtorin ekzekutiv të “Masterkard”, Axhej Banga, kryetar të ri të Bankës Botërore, njoftoi DPA.
Ai është “i përgatitur në mënyrë unike për të udhëhequr Bankën Botërore në këtë moment kritik të historisë”, tha Bjdeni sot në Shtëpinë e Bardhë.
Ky menaxher me origjinë indiano-amerikane është aktualisht nënkryetar i kompanisë “Xheneral Atlantik”.
DPA shpjegon se SHBA tradicionalisht e zgjedh kryetarin e Bankës Botërore, ndërsa Evropa e zgjedh drejtorin ekzekutiv të organizatës simotër, Fondit Monetar Ndërkombëtar.
SHBA-ja është aksioneri më i madh i Bankës Botërore. Por, ende i nevojitet mbështetja e vendeve të tjera anëtare që të mundet të kalojë kandidati i saj.
Banga, gjithashtu, ka përvojë në mobilizimin e fondeve për përballje me sfidat më urgjente, duke përfshirë edhe ndryshimet klimatike, shtoi presidenti amerikan, raportoi agjencia gjermane.
Kryetari i Bankës Botërore, Dejvid Malpas, javën e kaluar në mënyrë të papritur bëri të ditur se do të japë dorëheqje. Ai u tërhoq në fund të qershorit. Dorëheqja e tij vjen rreth një vit para përfundimit të rregullt të mandatit tënjeriut të parë të Bankës Botërore. Ai në periudhën paraprake ashpër u kritikua për deklaratat e tij për ndryshimet klimatike.

