Babai i dyshuar për neglizhencë dhe maltretim të vajzës së tij 14-vjeçare
Shkup, 7 prill – Prokuroria Themelore Publike në Shkup ka ngritur procedurë kundër një 45-vjeçari, shtetas i Bosnjës e Hercegovinës, me qëndrim të përkohshëm në Shkup, për të cilin ekziston dyshimi se ka kryer vepër penale “neglizhim dhe maltretim të fëmijës nga neni 201 paragrafi 1 nga Kodi Penal. Për të dyshuarin kërkohet edhe masa e paraburgimit.
“Në periudhën nga shtatori i vitit 2022 deri më 28 mars të këtij viti, duke llnë pas dore detyrën e tij për kujdes dhe edukim, i dyshuari e ka neglizhuar dhe e ka maltretuar vajzën e tij. Si baba dhe prind i vetëm me të cilin jetonte fëmija i lindur në vitin 2008, ai rregullisht gjatë udhëtimeve jashtë vendit e kishte lënë vajzën e tij të vetme, pa kujdes adekuat prindëror dhe pa ushqim dhe higjienë në shtëpi. Kur kthehej nga udhëtimet e tij, ai kryente dhunë psikike dhe fizike ndaj fëmijës, duke përdorur rripin dhe duke e goditur si mjet për edukimin e saj, ndërsa në një rast kishte bërë përpjekje që ta therrte me thikë. I dyshuari e kishte punësuar vajzën e tij 14-vjeçare në një ëmbëltore gjatë fundjavave, ndërsa të ardhurat e realizuara ia ka marrë që t’i kompensojë borxhet e tij”, njoftojnë nga PP.
Më 22 mars vajza ishte sëmurë në shtëpi dhe nuk kishte shkuar në shkollë, ndërsa i dyshuari i ishte paraqitur nga jashtë dhe e kishte kërcënuar se kur do të kthehet do ta rrahë sepse ka munguar në shkollë.
“Sjellja e tillë, te viktima ka shkaktuar frikë dhe stres, si dhe ndjenjën e neglizhencës dhe mungesës së kujdesit prindëror”, thonë nga PP.
Për shkak se ekzistojnë rrethanat të cilat tregojnë për rrezikun që të arratiset, si dhe rrethanat e veçanta për atë se i dyshuari do ta pengojë procedurën penale me ndikimin ndaj dëshmitarëve ose do të përsëritet vepra penale, prokurori publik gjykatësit të procedurës paraprake nga Gjykata Themelore Penale në Shkup i dorëzoi propozim për përcaktimin e masës së paraburgimit.

