Azeski – Martens: Kriza energjetike mbetet problem prioritar për kompanitë

Shkup, 15 shtator – Kriza energjetike mbetet problem prioritar për kompanitë dhe do të reflektohet në likuiditetin e tyre, vlerësuan drejtori i Delegacionit të ekonomisë gjermane në Maqedoni të Veriut, patrik Martens dhe kryetari i Odës ekonomike, Branko Azeski.

Sipas Martens dhe Azeskit, mbetet edhe çështja kyçe për investim në fuqinë e kualifikuar të punës, si dhe vlerësimi i punëtorit në pajtim me investimet.

Martens e nënshkroi Deklaratën për konsensus shoqëror për reforma, politika dhe masa ekonomike, që e miratoi Kuvendi i Odës ekonomike më 14 korrik me rastin e 100-vjetorit të ekzistimit të saj. Në Deklaratë kërkohet marrëveshje e re ekonomike dhe kthim nga agjenda partiake në atë shtetërore, sepse, siç ceket, vetëm agjenda shtetërore mund ta ruajë biznesin dhe zhvillimin e tij si faktor i vetëm i kohezionit në shtet.

Kryetari i Odës ekonomike Branko Azeski shprehi falënderim për besimin që Delegacioni i ekonomisë gjermane e tregon me aktin e nënshkrimit të Deklaratës, duke potencuar se në interes të bashkëpunimit të ardhshëm të përbashkët është edhe vendimi që Oda të marrë pjesë në manifestimin SUBEX-Suppliers Balkan Expo që në nëntor të këtij viti e organizon Delegacioni i ekonomisë gjermane në shtet. Për Maqedoninë e Veriut, Republika e Gjermanisë ka rëndësi kyçe sepse është partnerja më e madhe ekonomike e ekonomisë së vendit tonë.

Drejtori Martens theksoi se bashkëpunimi në biznes i të dy vendeve është me interes të përbashkët dhe se ka hapësirë për zgjerimin e tij. Në periudhën në vijim, potencial në biznese të reja sheh në disa sektorë, por posaçërisht në tekstil.

Deri më tani Deklaratën e nënshkruan mbi 150 subjekte, kompani anëtare të odës, ndërsa nga institucionet e jashtme, nënshkruese e parë është Akademia e arteve dhe shkencave e Maqedonisë së veriut. Në ditët në vijim, theksohet në Deklaratën e ekonomisë gjermane, atë do ta bëjnë edhe rektorët e universiteteve shtetërore në vend.