Avokati i të moshuarës që u rrah në “Orenda”: Infermierja Pelaj mund të ketë ikur në Gjermani

Meshar Selimaj, avokati i të moshuarës Minire Nura që muaj më parë u rrah nga Aurona Pelaj në Shtëpinë e Pleqve “Orenda” në Pejë, ka thënë se e dyshuara mund të ketë ikur në Gjermani.

Ai tha se ndaj Pelajt nuk është ngritur ende aktakuzë dhe se prokuroria ende s’i ka kryer hetimet.

“Me informacionet që kam Aurona Pelaj, mund të gjendet në Gjerman. Kështu po përflitet këto ditët e fundit. Prokuroria ende nuk i ka kryet hetimet. Prokuroria ende nuk e ka ngritur aktin-akuzues në Gjykatë dhe Gjykata ende nuk e ka mundësinë që ta ftojë Pelaj. Duhet të paraqitet, të thirret, dhe nëse nuk paraqitet merren masat për lëshimin e urdhër arrestit”, tha Selimaj, shkruan Euronews.al, transmeton Klankosova.tv.

Tutje, Selimaj tha se në trupin e të moshuarës janë gjetur shenja të djegies në këmbë e shenja të goditjeve me mjete të forta.

“Ka pasur një djegie në këmbë, për të cilën shtëpia nuk ka thënë. Përgjegjësia penale ju takon dhe personave juridikë, në këtë rast azilit të pleqve”, është shprehur Selimaj për Euronews.al.