Avokati i Popullit publikon raportin vjetor për punën gjatë vitit 2021
Shkup, 29 mars – Avokati i popullit z.Naser Ziberi në konferencën për shtyp e informoi opinionin për gjendjet e konstatuara me të drejtat dhe liritë e njeriut në vitin 2021, të përmbledhura/përfshira në Raportin vjetor për nivelin e sigurimit të respektimit, avancimit dhe mbrojtjes së të drejtave dhe lirive të njeriut në vitin e kaluar 2021, i cili është dorëzuar pranë Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe njëkohësisht është i aksesshëm edhe në ueb-faqe.
,,Në vitin raportues pranë Avokatit të popullit u pranuan/regjistruan 2.686 parashtresa, ndërsa nga viti paraprak janë bartur 389 lëndë ose numri i përgjithshëm i lëndëve/parashtresave sipas të cilave vepruam, i shqyrtuam është 3.075. Numri më i madh i parashtresave të pranuara/të regjistruara ka të bëjë me mbrojtjen e të drejtave nga fusha e jurisprudencës – 436 që paraqet 16,23% të parashtresave, pastaj pasojnë parashtresat nga fusha e të drejtave të fëmijëve 254 ose 9,46%, në vend të tretë janë të drejta e konsumatorëve 228 ose 8,49%. Në fushën e marrëdhënieve të punës u parashtruan 218 parashtresa ose 8,12%, në mbrojtjen sociale 183 parashtresa, përkatësisht 6,81%, për institucionet ndëshkuese – korrektuese dhe edukuese-korrektuese 162 parashtresa ose 6,03%, për fushën pronësore-juridike 150 parashtresa ose 5,58%, ndërsa për urbanizmin dhe ndërtimin 136 parashtresa ose 5,06%, si dhe parashtresa nga fusha të tjera.
Nga gjithsej 3.075 lëndë të pranuara/regjistruara në vitin 2021, Avokati i popullit ka inicuar procedurë për 2.085 ose 67,80% të parashtresave, nga të cilat në 755 ose 35,82% ka konstatuar shkelje të të drejtave dhe lirive të njeriut, dhe ka intervenuar me qëllim të eliminimit të shkeljeve, përkatësisht realizimit të të drejtave të qytetarëve-parashtrues. Nga gjithsej 755 lëndë në të cilat Avokati i popullit konstatoi shkelje dhe i ndërmori të gjithe veprimet ligjore, në 500 ose 66,23% të rasteve organet e administratës shtetërore, organet dhe organizatat e tjera me autorizime publike i pranuan intervenimet e Avokatit të popullit. Në 232 ose 30,43% të rasteve pas shkeljes së konstatuar Avokati i popullit dërgoi sugjerim për mënyrën e eliminimit të shkeljes së konstatuar pranë organit kompetent i cili nuk u pranua, dhe pas kësaj konform kompetencave ligjore ndërmori veprime të tjera, përkatësisht dërgoi informata, raporte të veçanta pranë organit më të lartë, pas së cilave i shteroi të gjitha mundësitë ligjore, ndërsa në 23 ose 3,05% të rasteve pas konstatimit të shkeljes dhe dërgimit të rekomandimit, akoma pritet përgjigje nga organi kompetent’’.
Këtë, ndër të tjera e theksoi avokati i popullit z.Naser Ziberi. Ai theksoi se edhe në vitin e kaluar numri më i madh i parashtresave kishte të bëjë me punën e përmbaruesve, megjithëse Avokati i popullit konstatoi një numër më të vogël të cenimeve të kryera në procedurë përmbarimore.
,,Shfrytëzoj rastin për të theksuar se janë të nevojshme ndryshime sistemore në pjesën e përllogaritjes së kamatës, në drejtim se nuk mundet, nuk është e drejtë të arkëtohet kamata e cila do të ishte më e madhe se borxhi kryesor, përkatësisht konsideroj se kur kamata do t’a arrijë borxhin kryesor, e njëjta duhet të ndërpritet. Së këtejmi, dispozitat e tanishme ligjore çojnë në situata apsurde në të cilat kamatën të cilën e paguan debitori ndonjëherë është pothuajse tre herë më e madhe se borxhi kryesor, kështuqë, ka njerëz të cilët me vite të tëra nuk mund ta paguajnë borxhin. Prandaj, nuk e përjashtoj mundësinë që Institucioni të inicojë ndryshime ligjore në këtë drejtim. Një numër i madh i parashtresave të parashtruara ishin në lidhje me fushën e të drejtave të konsumatorëve, sidomos në pjesën e distribuimit të energjisë elektrike. Rregullorja e cila ka të bëjë me këtë fushë, veçanërisht në pjesën e detyrimit për leximin e matësve, duhet t’i nënshtrohet ndryshimeve. Konform rregullave të tanishme, matësit lexohen një herë në vit, për çka, sipas Avokatit të popullit shkaktohen problemet më të mëdha për të cilat drejtohen qytetarët – fatura jorealisht të larta. Përkatësisht, është e zakonshme që qytetarët të paguajnë fatura të larta për një muaj, të cilat muajin e ardhshëm u zvogëlohen, por ky princip krijon një situatë kur ata në njëfarë mënyre paraprakisht (me avancë) e paguajnë energjinë e shpenzuar elektrike’’, theksoi z.Ziberi, i cili tha se pret, që këtë vit deputetët në kohë do t’i përcaktojnë masat për zbatimin e rekomandimeve të përgjithshme, se Qeveria do t’i respektojë dispozitat ligjore dhe se dy herë në vit do të informojë për zbatimin e tyre, sepse në këtë mënyrë institucioni do të ketë një pasqyrë se çfarë ndryshimesh janë bërë, ku është përmirësuar situata, ndërkaq ku duhet akoma të punohet.

