Avokati i Popullit: Nuk duhet të ndalen përpjekjet për përfshirjen e fëmijëve me aftësi të kufizuara
Shkup, 19 prill – Në raportin vjetor për liri dhe të drejta të qytetarëve, mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve është fusha e dytë me numër më të madh të parashtresave për shkeljen e të drejtave, ndërsa fusha e arsimit është njëra ndër kategoritë më të cenueshme, kumtoi Avokati i Popullit Naser Zyberi në hapjen e tryezës së rrumbullakët “Avancimi i cilësisë së arsimit inkluziv të fëmijëve me aftësi të kufizuara”.
“Në dy vitet e fundit po ndjehet rritja e parashtresave për shkeljen e të drejtave të fëmijëve nga disa arsye – e para, pandemia kufizoi shumë të drejta, madje edhe praninë fizikë të fëmijëve në arsim, por edhe qasje të pamjaftueshme dhe kapacitet të institucioneve për realizimin e të drejtave të fëmijëve, veçanërisht të fëmijëve me aftësi të kufizuara. MASH-i vitin e kaluar vendosi shumë risi, si tekstet e digjitalizuara shkollore, që nga ana tjetër hapi probleme të tjera lidhur me furnizimin e shkollave me pajisje për mësim me tekste të digjitalizuara shkollore. Këtu janë edhe problemet me realizimin e materialeve të të drejtave të fëmijëve, veçanërisht të atyre me aftësi të kufizuara dhe për këto arsye sivjet mbrojtja e të drejtave të fëmijëve pati rritje të parashtresave dhe rritjes së shkeljeve në këtë fushë”, deklaroi avokati i popullit.
Në fjalimin hyrës ai theksoi se ka disa hapa dhe përpjekje pozitive të shtetit, veçanërisht me Ligjin për arsim fillor nga viti 2019 dhe operacionalizim të nenit 24 të Konventës për mbrojtjen e personave me aftësi të kufizuara, por përpjekjet, theksoi Zyberi, nuk duhet të ndalen këtu dhe ndryshime duhet të ketë edhe në ligjet për arsim të mesëm dhe të lartë.
Që të avancohet gjendja, tha ai, duhet të hiqen barrierat në shkolla, ndërsa kjo do të thotë përforcim të kapacitetit të sistemit arsimor që të mundësohet qasje e barabartë për të gjithë nxënësit gjegjësisht fëmijët me aftësi të kufizuara të mos përjashtohen nga arsimi fillor falas ku do ta marrin në vendet ku jetojnë.
Ministri i Arsimit dhe Shkencës Jeton Shaqiri kumtoi se në arsimin e rregullt, në shkollat fillore janë përfshirë gjithsej 911 nxënës me nevoja të veçanta arsimore dhe 312 në arsimin e mesëm, dhe se me buxhet nga MASH-i këtë vit shkollor janë angazhuar 500 asistentë edukativë për të ndihmuar ekipet inkluzive të përbërë nga mësimdhënës, bashkëpunëtor profesional dhe prind.
Me mbështetjen teknike të UNDP-së edhe në shkollat e mesme, sipas shembullit të shkollave fillore, implementimi i asistencës arsimore do të fillojë në shtator. Deri më tani janë angazhuar 79 asistentë dhe kanë filluar trajnimet në tri qendrat rajonale për arsim profesional në Ohër, Tetovë dhe Kumanovë për arsim inkluziv
“Ndërtimi i arsimit inkluziv është proces i gjatë dhe kompleks, që nënkupton ngritjen e vazhdueshme të nivelit të mbështetjes, por vetëm me përfshirjen e gjithë shoqërisë në realizimin e të drejtave të fëmijëve me zhvillim atipik u mundëson atyre të fitojnë njohuri dhe shkathtësi dhe të rriten në qytetarë që do të mund të realizojnë veten dhe të kontribuojnë për të gjithë komunitetin”, tha Shaqiri
Ministria e Arsimit dhe Shkencës po punon vazhdimisht për rritjen e numrit të defektologëve dhe pedagogëve specialë, për trajnimin e mësimdhënësve të cilët punojnë me fëmijët me nevoja të veçanta arsimore, si dhe për rritjen e numrit dhe aftësimit të asistentëve arsimor. Për përmirësimin e aksesueshmërisë së institucioneve arsimore, është vendosur kusht për miratimin e mjeteve për realizimin e projekteve kapitale, objektet duhet të jenë lehtësisht të aksesueshme për personat me vështirësi.
Sekretari shtetëror në Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale Resmi Ejupi tha se inkluzioni i fëmijëve me aftësi të kufizuara është mes prioriteteve kryesore të MPPS-së dhe Qeverisë, se politikat në këtë drejtim janë të dukshme me vendosjen e Klasifikimit Ndërkombëtar të Funksionimit të (KNF) gjatë vlerësimit të fëmijëve me aftësi të kufizuara.
“Me mënyrën e re të vlerësimit braktiset modeli i vjetër mjekësor i shikimit të aftësisë së kufizuar gjegjësisht zëvendësohet me shikimin jo mjekësor që vlerëson anët e forta dhe aftësitë e fëmijëve dhe të rinjve, si dhe mbështetjen e nevojshme që fëmija duhet ta marrë në sistemin arsimor që të gëzojë mundësi të barabarta si bashkëmoshatarët e tij dhe të mundet ta zhvillojë potencialin e tij”, tha Ejupi.

