Autoritetet shëndetësore nuk nguten për të hequr të gjitha masat, virusi ende është i pranishëm
Shkup, 1 prill – Gjendja me statistikat ditore te të saposinfektuarit tregon në atë se virusi ekziston dhe e pret mundësinë më të vogël për t’u zhvilluar. Prandaj ende është herët për heqjen e plotë të masave, konsiderojnë kompetentët. Për momentin, është hequr mbajtja e maskave për nxënësit në shkollat fillore dhe nuk kërkohet certifikatë vaksinimi ose vërtetim për virusin e kaluar në hapësirat e hapura të gastronomive.
“Çdo ditë kemi nga 300 raste të reja, dhe kjo do të thotë se virusi ende ekziston dhe e pret mundësinë më të vogël për t’u zhvilluar, ndërsa gjatë fillimit të zhvillimit na shkon një javë ose dy që të mund të ndalim diçka”, deklaroi dje ministri i Shëndetësisë Bekim Sali.
Rekomandimi i fundit i Komisionit për Sëmundje Infektive është të hiqet mbajtja e maskave edhe për nxënësit e shkollave të mesme dhe sërish të organizohen ekskursionet shkollore në shkollat fillore dhe të mesme, por këto rekomandime duhet të kalojnë në Shtabin kryesor të krizave dhe pastaj të miratohen në seancë qeveritare.
Ky propozim i Komisionit vjen pasi Qeveria këtë javë pranoi heqjen e maskave për nxënësit e shkollave fillore, mësim me prani fizike në fakultete, por me mbajtje të obligueshme të maskave mbrojtëse dhe plotësim maksimal të kapacitetit në hapësirë të hapur dhe të mbyllur nga përqindja e tanishme deri në 75 për qind, si dhe heqja e obligimit për posedim të certifikatës së vaksinimit ose vërtetim për virusin e kaluar në pjesën e hapur të gastronomive.
Nga ana tjetër, me karvanin e vaksinimit pritet të rritet dalja për vaksinim.
“Ende nuk ka përfunduar karvani që të tregojmë sa përqind është rritur dalja, por është rritur minimalisht”, deklaroi ministri i Shëndetësisë.
Karvani filloi më 21 mars dhe do të përfundojë më 3 prill. Organizohet me qëllim që të promovohet vaksina si mënyrë e sigurt e imunizimit kundër KOVID-19. Karvani sot do të ndalet në Shtëpinë e Kulturës në Negotinë nga ora 12:00 deri më 16:00.
Sipas të dhënave të Institutit për Shëndet Publik, gjatë ditës së djeshme janë regjistruar 262 raste të reja me Kovid-19 prej të cilave 39 janë riinfeksione, një i vdekur dhe 326 pacientë të shëruar.

