As me bullgarët nuk do e heqin veton? Kushtetuta nuk mund të hapet kur kujt t’i kujtohet

Shkup, 22 Prill – Çështja për futjen e bullgarëve në Kushtetutë mund të diskutohet, por kjo nuk është garanci se ndonjë qeveri e ardhshme në Sofje nuk do të ketë kërkesa të këtilla prej nesh, u shpeh Presidenti, Stevo Pendarovski në intervistë për “Alsat”. “Kush garanton se kjo do të jetë kërkesa e fundit për të lëshuar pe nga pala bullgare? Shumë do të thoshin kjo Qeveri bullgare do ta nënshkruajë këtë dhe nuk do të kemi më kërkesa të këtilla në të ardhmen? Prej kujt të kërkojmë garanci të tilla? Kjo është politika. Qeveria e ardhshme do t’ju thotë – këtë e ka nënshkruar Qeveria paraprake, ata ishin tradhtarë të kauzës sonë, nuk na intereson. Ne nuk mund ta hapin Kushtetutën sipas nevojës çdo të hënë“, tha presidenti Stevo Pendarovski.

E pikërisht këtë e konfirmoi edhe zëvendësja e Presidentit të Bullgarisë, Ilijana Jotova të shtunën gjatë vizitës në Ohër. Ajo tha se nuk do ta heqin veton për nisje të negociatave të Maqedonisë me BE deri në plotësimin e të gjitha kërkesave të tyre. Këtë e përsëriti edhe sot.

“Bullgaria ka pesë kushte për Maqedoninë e Veriut, kushte këto të cilat janë vendosur që moti. Bile edhe kur u bë e qartë se asgjë nuk është ndryshuar nga nënshkrimi i Marrëveshjes për Fqinjësi të Mirë, as pas 18 takimeve të Komisionit të Përzier Historik, asnjë rresht nuk është ndryshuar në tekstet shkollore që mësohen në shkollat e Republikës së Maqedonisë së Veriut“, tha Ilijana Jotova, zëvendëspresidente e bullgarisë.

Pendarovski thotë se do të vazhdojmë me negociatat, duke shpresuar se vendit nuk do t’i përsëritet skenari grek.

“Ne formalisht të gjithë e dimë atë përgjigje, kushdo që të jetë në pushtet, ne do të vazhdojmë me negociatat, me bisedimet edhe në 6 muajt që vijojnë, edhe në 6 muajt e ardhshëm. Unë shpresoj se nuk do të ndodhë skenari grek numër 2 dhe me bullgarët të negociojmë më shumë se 20 vite. Por, qëllimi ynë strategjik është ky dhe ne deri më tani dëshmuam se jemi të gatshëm edhe për kompromise të rënda. Nëse duhet do t’i kalojmë të gjitha këto sfidat për t’u anëtarësuar në këto dy organizata, por jo me koston e humbjes së identitetit”, deklaroi Pendarovski.

Pendarovski e kundërshtoi hapjen e klubit “Vanço Mihajllov” për dy arsye: për shkak të vetë emrit të klubit dhe përbërjes së delegacionit të Bullgarisë që mori pjesë në gjatë hapjes së klubit.