ARS-ja me strategji të re për të rinjtë për të monitoruar nevojat reale të të rinjve në vend

Shkup, 8 gusht – Agjencia për Rini dhe Sport (ARS), me mbështetjen e misionit të OSBE-së në Shkup, UNDP-së dhe UNFPA-së, me rastin e “Javës së rinisë”, e cila fillon sot, më 8 gusht deri më 12 gusht, paralajmëroi që do të krijohet strategji e re kombëtare për rininë që do të ndjekë nevojat reale të të rinjve dhe do t’u përgjigjet kërkesave që ata kanë. Drejtori i ARS-së, Mojsovski, informoi se versioni fillestar i strategjisë pritet në fund të vitit, ndërsa në vitin 2023 do të pasohet plani i veprimit.

“Në periudhën e ardhshme ARS-ja në partneritet me Qeverinë, institucionet përkatëse rinore, format e organizimit rinor dhe Këshillin për rininë do të punojnë për krijimin e një strategjie të re rinore që do të monitorojë nevojat reale të të rinjve dhe do t’u përgjigjet kërkesave të tyre. Tashmë kemi përpunuar metodologji për krijimin e Strategjisë kombëtare për rininë, kemi hedhur bazat dhe pres që deri në fund të vitit të kemi version fillestar të Strategjisë që do të pasohet me plan veprimi për vitin 2023, procesi është plotësisht gjithëpërfshirës dhe transparent”, theksoi në konferencën e sotme për media, drejtori i Agjencisë për Rini dhe Sport, Naumçe Mojsovski.

Përfaqësuesi i përhershëm i UNDP-së në vend, Armen Grigorijan, deklaroi se strategjia do të trajtojë aspekte të ndryshme të jetës së të rinjve.

Ndërsa, shefi i misionit të OSBE-së në vend, Xhefri Golldshtajn, duke treguar analizat e regjistrimit të popullsisë në vend, i cili u krye në vitin 2021, deklaroi se sot në vend janë 230.000 persona më pak nën moshën 25 vjeçare se para dy dekadave.

Me rastin e “Javës së rinisë”, më 11 gusht, në hotelin “Panoramika” në Shkup do të mbahet konferencë ndërkombëtare për të rinjtë me temë “Rinia në Ballkanin e hapur – gjasat dhe perspektivat për progres të sigurtë në rajon”. Prej ARS-së paralajmërojnë se në konferencë do të marrin pjesë zyrtarë të lartë qeveritarë nga vendi, si dhe ministri i Rinisë dhe Sportit i Republikës së Serbisë, ministri i Rinisë dhe Sportit të Malit të Zi, si dhe përfaqësues të organizatave rinore nga këto vende dhe nga Republika e Shqipërisë.