Arrestohet “truri” i bandës së Durrësit, Lulzim Berisha. Pritet ekstradimi nga Spanja

Lulzim Berisha, kreu i ish-bandës së Durrësit i dënuar me burgim të përjetshëm në vitin 2012, është arrestuar në Spanjë.

Operacioni “Saint Joan” u njoftua nga Policia e Shtetit në kuadër të bashkëpunimit të FAST Albania me Fast Spanja dhe vendos në pranga një nga “shtetasit e shpallur në kërkim ndërkombëtar për rrezikshmëri të lartë shoqërore”. 

Autoritetet deklaruan se po punojnë për të plotësuar dokumentacionin me qëllim ekstradimin e Berishës drejt Shqipërisë.

Lulzim Berisha u dënua me burgim kapital për disa krime të rënda si kreu i ish-bandës së Durrësit. Organizata e drejtuar prej tij është akuzuar për vrasjen e Dritan Sallakut, Viron Currit e Arjan Pajës; Marsel Sotirit, Dritan Dishës dhe Ervin Lames.

Më 16 korrik 2014, Gjykata e Lartë e rrëzoi vendimin për burgim të përjetshëm, duke e dënuar Lul Berishën përfundimisht me 25 vjet burg. Ai duhet të vuajë edhe 5 vjet dënim, i cili iu konvertua në shërbim prove nga Gjykata e Apelit e Durrësit para se të shprehej kundër Gjykata e Lartë.

Ministri Balla: Pandëshkueshmëria do të marrë fund

Sundimi i ligjit vijon të godasë në Shqipëri e kudo, mbi këdo dhe pandërshkueshmëria do të marrë fund ndaj kujtdo që kujton se do të vazhdojë t’i fshihet. Përgëzoj Policinë e Shtetit, ekipin e Fast Tirana të cilët në bashkëpunim me Fast Madrid, të kanë bërë të mundur arrestimin e shtetasit Lulzim Berisha në Alicante, Spanjë, një person i kërkuar nga drejtësia në Shqipëri,” reagoi ministri i Brendshëm, Taulant Balla.