Arrestohet 41-vjeçari i cili përfitoi rreth 100 mijë euro për mashtrim

Policia e Kosovës gjatë ditës së sotme ka arrestuar të dyshuarin E.C. 41, pasi dyshohet se i njëjti ka mashtruar të paktën shtatë persona dhe ka përfituar rreth 99,500 euro, duke u premtuar të njëjtëve shitjen e pronës në një paralagje të Prishtinës.

Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës thuhet se Policia e rajonit të Prishtinës, respektivisht, njësiti i hetimeve të stacionit policor Qendra, ka arrestuar një të dyshuar për veprat penale mashtrim, falsifikim dokumenti, si dhe legalizim i përmbajtjes së rreme.

“Sipas informacioneve të deritanishme, janë ngritur dyshimet se, i dyshuari duke prezantuar rrethana të pavërteta ka arritur të mashtrojë së paku shtatë persona dhe të përfitoj nga viktimat rreth 99.500 euro, duke u premtuar të njëjtëve shitjen e pronës në një paralagje të Prishtinës”, thuhet në njoftimin e PK-së, raporton Zeri.info.

I njëjti përmes mashtrimit dhe falsifikimit dyshohet të ketë lidhur disa kontrata shitblerjeje me palë të ndryshme vlera e të cilave arrin qindra mijëra euro.

“Që nga marrja e informacioneve të para më datë 16.11.2021, njësia e hetimeve të stacionit policor Qendra, në koordinim me Prokurorin e Shtetit, ka kryer veprime hetimore dhe veprime të tjera operative që rezultuan me identifikimin, kapjen dhe arrestimin e të dyshuarit E.C. 41 vjeç, mashkull, shtetas i republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e PK-së.