Arrestohen shtetas të huaj gjatë kontrollit në objekt hotelierik në Strugë

Strugë, 8 shtator – Gjatë mbrëmjes së kaluar në periudhën nga ora 01:20 deri në ora 05:00, nëpunës policorë nga Byroja për siguri publike, Departamenti i policisë kriminale nga Shkupi, Departamenti për operacione speciale policore, si dhe nëpunës policorë nga Struga dhe inspektorët e Departamentit për të huaj në koordinim me Inspektoratin shtetëror të tregut, Drejtorinë e të ardhurave publike dhe Inspektoratin shtetëror të punës, kanë kryer kontroll në disa objekte hotelierike në Strugë.

Siç kumtojnë nga MPB-ja, gjatë kontrollit janë gjetur dy të mitur, një person është ndaluar nën ndikimin e alkoolit, ndërsa në veturë janë gjetur një send i mprehtë dhe një send metalik – goditëse, për të cilat do të vijojë parashtresa. U konstatua mosrespektimi i ligjit për ndalimin e pirjes së duhanit në ambiente të mbyllura, si dhe moslëshimi i llogarive fiskalë.

Janë gjetur shtetas të huaj pa dokumentacion përkatës për qëndrim të rregulluar dhe gjashtë shtetas të huaj pa leje pune, në posedim të të cilëve pas kontrollit u gjet një sasi e madhe parash.