Arrestohen e pastaj lirohen nga akuzat – veprimet e Prokurorisë ndaj zyrtarëve të lartë po shihen më shumë për vëmendje sesa për sigurim të provave

Në Kosovë gjatë viteve të fundit kanë ndodhur arrestime të shumta edhe në mënyrë spektakulare, me prani të mediave me fokus luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Por, shpesh herë këto arrestime kanë mbetur vetëm të tilla sepse ngritja e aktakuzave për zyrtarët e profilit të lartë kanë përfunduar pa dënime, pasi që gjykata i kanë liruar si të pafajshëm këta persona.

Të gjitha këto veprime po shihen më shumë si veprime për vëmendje nga ana e Prokurorit të Shtetit sesa përpjekje në sigurimin e provave për këto raste.https://db572263adf695982bdb4c417de1fd44.safeframe.googlesyndication.com/safeframe/1-0-38/html/container.html

Raste të tilla së fundi kanë qenë lirimi nga aktakuza e ish-deputetit Milaim Zeka lidhur me çështjen e mashtrimit me viza, pastaj lirimi nga të gjitha akuzat për korrupsion me tenderë dhe krim të organizuar të ish-kryetarit të Gjilanit, Qemajl Musata, dhe rasti i ish-guvernatorit të BQK0-së, Hashim Rexhepi etj.

Për këto Grupi Për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), në një përgjigje për Telegrafin ka thënë se në vazhdimësi ka konstatuar se nuk ekziston vullnet serioz i institucioneve të drejtësisë që të trajtojnë me profesionalizëm dhe efikasitet lëndët e korrupsionit, me theks të veçantë rastet ku të akuzuar janë persona zyrtarë.

“Kjo mund të vërtetohet edhe me rastin e aktgjykimeve liruese në rastin ndaj ish- kryetarit të Gjilanit, Qemajl Mustafa, ish-deputetit Milaim Zeka, por edhe në rastet e njohura në publik si “Pronto”, “Veteranët”, dhe aktgjykimin refuzues në rastin ”Ferronikeli” etj. Nga gjithë këto raste të profilit të lartë, mund të vihet në përfundim se arrestimet dhe aktakuzat e ngritura nga ana e Prokurorit të Shtetit kanë qenë më shumë për vëmendje të publikut, me pretekstin se “askush nuk është i paprekshëm”, sesa në sigurimin e provave të mjaftueshme dhe në rrugë ligjore, apo në përcaktimin e palës së dëmtuar apo edhe në vërtetimin e dëmit të shkaktuar nga ana e të akuzuarve”, kanë thënë nga GLPS-ja.

Tutje ata kanë theksuar se zvarritja e këtyre rasteve për vite të tëra nëpër gjykata, duke bërë që të njëjtat të kthehen në rigjykim disa herë, e të parashkruhet edhe ndjekja penale ndaj të akuzuarve, paraqet dëshmi se gjyqësori nuk po tregohet efikas dhe nuk po i trajton të njëjtat me prioritetin e duhur, duke mos respektuar kështu parimin e gjykimit të drejtë dhe brenda një kohe të arsyeshme.

Edhe Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, ka thënë se është ndërtuar praktika ku Prokurori i Shtetit përmes aksioneve apo deklaratave publike bën përpjekje për të dëshmuar se është duke e luftuar korrupsionin e nivelit të lartë.